Prishtinë,2 maj 2018
Në sallën e Fakultetit të Studimeve Islame, sot u mbajt mbledhja me imamët e rajonit të Prishtinës. Në këtë mbledhje, nga |Kryesia e BIRK-ut mori pjesë sekretari i Kryesisë Resul Rexhepi, kryeimami Sabri Bajgora, drejtori për shtyp dhe veprimtari botuese Ahmet Sadriu, drejtori financiar Kasim Gërguri, drejtori për Diasporë Ekrem Simnica dhe zëvendëskryeimami Fatmir Iljazi.
Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës mirëseardhje të pranishmëve u dëshiroi sekretari i Kryesisë Resul Rexhepi, i cili tha se mbledhje si këto janë bërë më tradicionale dhe kemi krijuar një traditë që në vigjilje të Ramazanit të tubohemi e të bisedojmë larg ngarkesave të ndryshme, duke u nisur nga parimi kuranor të rikujtojmë se me të vërtetë në rikujtim ka dobi. Këtu kujtoj se jemi tubuar për obligimin që kemi ne jo vetëm ndaj agjërimit, por edhe ndaj xhematit tonë, bazës sonë, xhamisë dhe nga ky këndvështrim jemi sot këtu që të diskutojmë së bashku. Më pas, mori fjalën kryeimami i Kosovës Sabri Bajgora, i cili theksoi se edhe këtë vit sikurse viteve të tjera do të kemi risi sa u përket organizimeve të aktiviteteve në Ramazan, kur do të kemi 30 hafizler nga Turqia gjatë muajit të Ramazanit e të cilët do të shpërndahen nëpër komuna të Kosovës, do të kemi iftare rajonale, iftarin tradicional në Medrese, dalje në terren dhe se këtë vit prezantimi në terren do të jetë në namazin e teravive dhe do të lëvizet sipas orarit të përpiluar nga zyra e kryeimamit, ndërsa po ashtu nuk do të mungojë as dalja edhe nëpër ditë të xhuma, do të kemi shkëmbime të imamëve ndërmjet këshillave, do të ketë koordinim edhe më të përgatitur se herave të kaluara, në mënyrë që të freskojmë xhematin tonë gjatë muajit Ramazan. Në këtë kuadër do të organizohen edhe tribuna, porse në grupe të veçanta që të jenë më efektive, gjtihashtu në terren do të jenë të pranishëm Departamenti i Grave dhe Departamenti i të Rinjve.
Më pas, para të pranishmëve folën edhe drejtori për shtyp dhe veprimtari botuese Ahmet Sadriu, drejtori financiar Kasim Gërguri, drejtori për Diasporë, Ekrem Simnica, të cilët kërkuan nga imamët që të jenë më aktivë sa i përket literaturës që boton BIRK-u si dhe në tubimin e sadaktul-fitrit dhe zeqatit për nevoja të Medresesë, Fakultetit dhe institucioneve të tjera arsimore të BIRK-ut.