Prishtinë, 30 dhjetor 2021

Sot, më 30 dhjetor 2021, Kuvendi i Bashkësisë Islame të Kosovës, mbajti mbledhjen e rregullt, të cilën e kryesoi kryetari i Kuvendit të BIK-ut, dr. Ajni Sinani. Mbledhja filloi me leximin e një pjese nga Kurani, të cilën e lexoi anëtari Artan ef. Zekaj. Më pas, dr. Ajni Sinani, kryetar i Kuvendit, iu shprehu mirëseardhje anëtarëve të Kuvendit, duke i falënderuar ata për punën dhe angazhimin e tyre.

Më pas, një fjalë përshëndetëse mbajti edhe kryetari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili fillimisht e luti Zotin për shëndet e mirëqenie për të gjithë, si dhe për vullnet e kurajë në kapërcimin sa më të lehtë të kësaj pandemie me të cilën jemi duke u ballafaquar. Ai më pas kërkoi nga të pranishmit që të këndojnë nga një Fatiha për shpirtin e ish-myftiut të Kosovës, dr. Rexhep ef. Bojës, i cili u nda nga kjo botë dhe luti Zotin që ta shpërblejë me xhenet për punën dhe aktivitetin e tij dhënë si në institucionet e BIK-ut ashtu edhe në përfaqësimin e Kosovës si ambasador në Riad. Ai po ashtu falënderoi të gjithë nëpunësit e BIK-ut anekënd Kosovës, të cilët janë duke dhënë një kontribut në mbarëvajtjen e jetës fetaro-arsimore dhe janë duke u ballafaquar me sfida të ndryshme në terren.

Ai më tutje shtoi se situata me pandeminë Covid-19 ka bërë që të imponohen disa gjëra dhe të bëhet një riorganizim, në mënyrë që t’u përshtatemi rrethanave të reja, duke marrë kështu vendime jo fort të këndshme për jetën fetare, por që falë Zotit po e përballojmë këtë situatë të rëndë. Myftiu Tërnava e vlerësoi gjendjen e përgjithshme si të qetë dhe stabile, falë imamëve dhe administratës së këshillave anekënd Kosovës për kontributin që janë duke dhënë për organizimin e jetës edukativo-fetare në Kosovë. Po ashtu, ai vlerësoi lart edhe kontributin e kuvendarëve dhe njëherazi kërkoi nga ta që edhe më tutje të japin kontributin e tyre për avancimin dhe shtyrjen e proceseve përpara, kështu që amanetin që e kemi mbi supet tona ta çojmë në vend.

Myftiu Tërnava tha se duhet ta ngremë përgjegjësinë që kemi para Zotit për jetën fetare dhe dobësitë që i kemi duhet t’i eliminojmë. Ai kërkoi nga kuvendarët që të japin kontribut brenda Këshillit ku jetojnë e veprojnë dhe në ato xhami që nuk kryhen – falen pesë kohë namaz të fillojnë sa më shpejtë si dhe t’i kushtohet një rëndësi e veçantë edukimi dhe arsimi fetar të nxënësve. Pandemia me Covd-19 na ka dezorientuar pak, po ne si Kryesi nuk kemi ndenjur duarkryq kemi vizituar këshillat, kemi zhvilluar takime dhe tubime aq sa na është lejuar me protokoll të pandemisë. Gjendja është shumë më e mirë se çka qenë dhe kjo na gëzon të gjithëve, por kemi shumë detyra dhe punë para vetës. Një punë të shkëlqyer janë duke zhvilluar edhe mualimet anekënd Kosovës dhe po bëjnë një aktivitet të mrekullueshëm në terren.

Ai duke folur për aktivitetet e BIK-ut tha se BIK është lider në organizimin e konferencave dhe sesioneve shkencore, por edhe në botë po përfaqësohemi mirë dhe vazhdojmë edhe më tej dhe me faktorin ndërkombëtar të kemi raporte shumë të mira dhe ne vazhdimisht luftojmë ekstremizmin, fundamentalizmin dhe indoktrinimin e dukuritë e tjera negative për shoqërinë dhe këto t’i përcillni nëpër këshillat tuaj në komuna, dhe kjo është edhe obligim fetar të luftohet e keqja. Ai nuk la pa përmendur edhe xhematin i cili vazhdimisht ka përkrahur dhe mbështetur BIK-un dhe është shumë dorëdhënës duke e ndihmuar dhe ne po përpiqemi që vazhdimisht të përmirësojmë infrastrukturën e BIK-ut.

Një falënderim të veçantë Myftiu Tërnava ka bërë për kuvendet komunale dhe qeveritë qendrore dhe institucionet e tjera, duke e cilësuar bashkëpunimin dhe respektin si shumë të veçantë, ngase edhe jemi institucion i besueshëm dhe nga ne kërkohet që t’i zhvillojmë edhe më shumë këto marrëdhënie bashkëpunimi mes organeve komunale dhe qeverisë sonë në të mirë të qytetarëve dhe xhematit tonë.

Myftiu Tërnava njoftoi kuvendarët që kanë përfunduar shumë projekte infrastrukturore, e disa të tjera janë ende në fazën finale të realizimit, e me këto lehtësohet edhe më shumë jeta dhe aktivitetet fetare. “Falënderojmë Zotin që punët janë duke ecur mbarë e mirë. Ne shprehim falënderime edhe për donatoren, të cilët vazhdimisht nuk ngurrojnë që të na ndihmojnë me projekte në të mirë të qytetarëve tanë. BIK-u do të vazhdojë në ngritjen infrastrukturore të këshillave të BI-së së Kosovës edhe në të ardhmen” – u shpreh Myftiu Tërnava.

Theks të veçantë në këtë fjalim, Myftiu Tërnava i kushtoi edhe aktivitetit të Shoqatës Humanitare “Bereqeti”, e cila tanimë është numër një në Kosovë për aktivitetet e saj humanitare në vend, rajon, por edhe në kontinente e tjera dhe falënderojmë edhe donatorët të cilët ofrojnë nga pasuria e tij dhe ia besojnë shoqatës “Bereqeti” që kjo ndihmë të shkoi drejt e në dorën e sigurt te nevojtarët.

Mbledhja më pas vazhdoi me pikat e rendit të ditës, e që ndër to ishte edhe shqyrtimi dhe miratimi i projektbuxhetit të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës për vitin 2022. Projektbuxhetin para anëtarëve të Kuvendit të BIK-ut e paraqiti drejtori i Financave dr. Islam Hasani, i cili arsyetoi dhe sqaroi këtë projektbuxhet për vitin e ardhshëm. Pas shqyrtimit, Kuvendi i BIK-ut, me shumicë votash miratoi buxhetin e Kryesisë për vitin 2022. Në këtë mbledhje u shtruan edhe lëndë të tjera dhe u morën vendime nga kompetencat e Kuvendit.

Krejt në fund, edhe njëherë u përçua mesazhi që imamët dhe të gjithë nëpunësit fetarë të kontribuojnë në respektimin e masave parandaluese të përhapjes së pandemisë Covid-19.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…