Prishtinë, 6 maj 2016
Myftiu i Republikës së Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava, më 6 maj u prit nga ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite në Tiranë, dhe njëherazi ambasador jorezident edhe për Kosovën, Talat bin Salim Ridvan.
Ambasadori i Mbretërisë së Arabisë Saudite, Talat bin Salim Ridvan falënderoi myftiun Tërnava për këtë vizitë, dhe theksoi se bashkëpunimi dhe komunikimi janë në nivel të shkëlqyeshëm mes dy vendeve, e posaçërisht me institucionet e BIK-ut. Ai theksoi se Mbretëria e Arabisë do të jetë në përkrahje të plotë të Kosovës dhe popullit të saj, dhe do të angazhohet që Kosova të integrohet në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Gjithashtu, ambasadori tha se Arabia Saudite do të vazhdojë të përdorë ndikimin e saj dhe të lobojë edhe më në Konferencën Islamike dhe në Ligën Arabe, sidomos tek ato shtete që ende s’e kanë njohur Kosovën, pra që një gjë të tillë ta bëjnë sa më parë.
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, e falënderoi ambasadorin Talat bin Salim Ridvan dhe mbretërinë e Arabisë Saudite për përkrahjen e vazhdueshme që deri më tani ka dhënë Mbretëria e Arabisë Saudite për Kosovën.
“Populli ynë është dhe do të jetë mirënjohës dhe falënderues ndaj Mbretërisë suaj, për mbështetjen e vazhdueshme që po i bëni Kosovës si dhe për kontributin që po jep diplomacia saudite në institucionet ndërkombëtare për përkrahjen e Kosovës dhe integrimin e saj në organizmat ndërkombëtarë”, theksoi myftiu Tërnava. Ai po ashtu e njoftoi ambasadorin saudit edhe për gjendjen dhe rrjedhat e Bashkësisë Islame të Kosovës.
Ambasadori saudit Talat bin Salim Ridvan shprehu vullnetin e tij që Mbretëria e Arabisë Saudite edhe më ta shtojë bashkëpunimin dhe forcimin e marrëdhënieve reciproke.