Prishtinë, 13.11.2014
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë, z. Abdullah Xhemal El Mishjet, i shoqëruar nga drejtori financiar z. Naif Abdullah Ebu Halid, u pritën sot në një takim vëllazëror nga sekretari general i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul ef. Rexhepi me bashkëpunëtorë.
Në këtë takim u vlerësua lartë bashkëpunimi i thellë në mes të dy institucioneve si dhe u diskutuan një varg çështjesh që kishin të bënin me obligimet dhe përgjegjësitë e përbashkëta karshi besimatërve muslimanë shqiptarë. Një theks i veçantë gjatë bisedës iu kushtua lehtësimit të procedurave për marrjen e vizave dhe përmirësimit të organizimit të haxhit.

Pas takimit, të dyja palët, bënë hapjen e xhamisë së re në fshatin Vërbovc të komunës së Drenasit, xhami kjo e financuar nga Mbretëria e Arabisë Saudite.
Mehdi ef. Kastrati, kryetar i Këshillit të BI në Drenas, me bashkëpunëtorë, mirëpriti vizitorët dhe pasi u shprehi mirëseardhje, tha: “Duke iu falenderuar Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe bashkëpunimit që Bashkësia Islame e Kosovës ka me ambasadën e kësaj Mbretërie, ne sot kemi arritur të kemi këtë xhami të bukur, në të cilën besimtarët muslimanë të kësaj ane do të kenë mundësi t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj Zotit xh.sh.”.
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Arabisë Sauditë në Tiranë, z.Abdullah El Mishjet, u shpreh: “Falenderimi i takon Allahut të Madhëruar. Ky është obligimi më i paktë që Mbretëria mund të bëjë karshi qytetarëve të Republikës së Kosovës. Është ky një projekt që konsiderohet një dhuratë modeste nga Kujdestari i dy xhamive të shenjta, Mbreti Abdullah, me shpresë që në të ardhmen  të kemi akoma më tepër projekte të kësaj natyre në shërbim të komunitetit dhe fesë. Duke e lutur Allahun xh.sh. që t’i japi bekimin e Tij në këtë vend, lutem edhe për të gjithë ata që kanë kontribuar në realizimin e këtyre projekteve. Allahu ua shpërbleftë me të mira”.
Imami i kësaj xhamie, Driton ef. gjithashtu falenderoi BIK dhe Mbretërinë e Arabisë Saudite për këtë donacion për ndërtimin e xhamisë. Ai tha se nevoja që të kemi një xhami të re ka qenë e kahmotshme. Xhamia e vjetër konsiderohet si  më e vjetra në këtë rajon.
Në emër të Kryesisë së BIK, të pranishmëve në këtë eveniment iu drejtua Ekrem ef. Simnica, drejtor për diasporë në BIK: “Shfrytëzoj rastin që në emër të Myftiut t’ju përcjell urimet dhe përshëndetjet e tij për përfaqësuesit e ambasadës së Arabisë Saudite. Ashtu sikur falenderojmë edhe kryetarin e KBI në Drenas me bashkëpunëtorë. Ndihma e Mbretërisë nuk ka munguar për asnjë moment, si para luftës, gjatë dhe pas luftës. Kur them para luftës, kam për qëllim edhe përgatitjen e kuadrit të teologëve që kanë dalë nga Universiteti i Medinës, Mekes dhe Rijadit, përderisa kontributi i tyre gjatë dhe pas luftës sigurisht që nuk do koment. Është obligim yni që të shprehim respektin më të thellë ndaj vëllëzërve tanë nga Arabia Saudite”.
Më pas, përfaqësuesit e Ambasadës së Arabisë Saudite në Tiranë dhe Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës inspektuan punimet në xhaminë e fshatit Rezallë të komunës së Skënderajt (e financuar poashtu nga Mbretëria e Arabisë Saudite), ku u pritën nga kryetari i Këshillit të BI në Skënderaj, Nexhmi ef. Maksuti me bashkëpunëtorë, nga dhuruesi I tokës për ndërtimin e xhamisë, përfaqësuesi i fshatit dhe drejtori i shkollës së fshatit Rezallë bashkë me një numër të konsiderueshëm nxënësish.
Nexhmi ef. Maksuti, pasi u dëshiroi mirëseardhje mysafirëve, tha se ky fshat, është fshati më i dëmtuar në Kosovë, ashtu si ka dhënë edhe më së shumti dëshmorë për lirinë e vendit tonë. E veqanta e kesaj xhamie eshtë se në këtë fshat nuk ka pasur më herët xhami, pra konsiderohet objekti i parë i këtij lloji në fshatin Rezallë, me c’rast e falenderojmë edhe dhuruesin e parcelës tokësore për ndërtimin e kësaj xhamie. Dora dhe zemërgjerësia e popullit të Arabisë Saudite le të vazhdojë përherë”.
Përfaqësuesi i fshatit Rezallë, paraqiti disa të dhëna rreth fshatit Rezallë:”536 familje me 2100 banorë, me 94 të rënë në altarin e lirisë, me shumë jetim nën mëshirën e Zotit dhe të vëllëzërvë bujarë. Kjo shtëpi e Zotit shpresoj të jetë një shtëpi që do të kultivojë paqe, arsimim, solidaritet e vëllazëri dhe të gjitha virtytet që i takojnë një muslimani t’i ketë”.{gallery}ksambssy{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit

Familja Sot është ditë feste, ditë gëzimi, ditë mëshire e shpërblimi, ngase të gjitha adhu…