17.07.2018
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myfiu Naim Tërnava, me një pjesë të kabinetit të Kryesisë, vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Kamenicës. Ai u prit nga kryetari i këtij këshilli, z. Bejtullah Hashani, i cili i shprehu mirënjohjen e thellë Myftiut Tërnava duke theksuar rolin që ka luajtur ai për ndërtimin e institucioneve të Bashkësisë Islame.
Po ashtu Myftiu Tërnava mbikëqyri edhe punimet në ndërtimit e objektit të administratës së Këshillit. Ai mes të tjerash tha: “Punimet në këtë objekt tashmë kanë kaluar pritjet, ky objekt i mrekullueshëm do t’i ketë të gjitha kushtet dhe standardet më bashkëkohore. Deri më tani, Këshilli i Bashkësisë Islame në Kamenicë nuk ka pasur hapësirë të mjaftueshme për punë, ndërsa tani, me ndërtimin e këtij objekti, ky problem po zgjidhet përfundimisht.”
Myftiu Tërnava shprehu vendosmërinë e tij dhe të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës që ky objekt të përfundojë në tërësi këtë vit. “Çdo ardhje në Kamenicë ka një domethënie të veçantë, ngase vijmë në një vend ku ndihet qetësia dhe njerëzit me sjelljet dhe kulturën e tyre janë të veçantë për vendin tonë”, tha mes të tjerash Myftiu Tërnava.