Prishtinë, 29 dhjetor 2021

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, sot organizoi një manifestim rasti ku u nderua me mirënjohje si dhe u vlerësua kontributi jetësor i veteranit dhe udhëheqësit të shquar ish-sekretarit të Kryesisë së BIK-ut haxhi Jashar ef. Jashari. Ai për 42 vite ishte pjesë e BIK-ut dhe kontribuoi në udhëheqjen, ngritjen dhe zhvillimin dhe avancimin administratës së organeve të Bashkësisë Islame të Kosovës. Fillimisht mirëseardhje mysafirëve iu dëshiroi Ramadan Shkodra, drejtori për Shtyp dhe Kulturë, i cili tha se sot jemi për të çmuar dhe vlerësuar kontributin e haxhi Jasharit që konsiston në 80 vjetorin e lindjes së tij, dhe se kjo ceremoni është organizuar me vendim të veçantë të Myftiut Tërnava.

Me një fjalë rasti të pranishmëve iu drejtua kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili çmoi kontributin dhe punën 42 vjeçare të ish-sekretarit Jashari, duke filluar që nga detyra e tij si arkivist, e më pas edhe në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Kryesisë së BIK-ut.

“Sikurse dihet, haxhi Jashari për më shumë se 4 dekada ishte pjesë aktive e Bashkësisë Islame të Kosovës. Për më tepër, nëse kësaj ia shtojmë edhe periudhën e shkollimit të tij, mund të themi se haxhi Jashari në Bashkësinë Islame është që nga fëmijëria, respektivisht që pas përfundimit të shkollës fillore, që do të thotë se ai u rrit dhe u formua si intelektual dhe se tërë jetën e tij aktive e vuri në shërbim të BIK-ut, ku pati detyra me përgjegjësi dhe të cilat i ushtroi me kompetencë profesionale, përkushtim, autoritet, korrektësi e devotshmëri. Haxhi Jashari gjatë tërë punës së tij në Bashkësinë Islame është angazhuar për të bërë më të mirën për të ngritur profesionalizuar administratën e Bashkësisë Islame gjë që edhe e ka arritur. Ajo që duhet thënë, është fakti se haxhi Jashari që nga femëria ka qenë i lidhur me Bashkësisë Islame të Kosovës, sepse haxhiu i përket nxënësve të Medresesë së Ultë, respektivisht gjeneratës së dytë që e kreu me sukses. Menjëherë pas medresesë më 1965, haxhiun e gjejmë në Bashkësisë Islame të Kosovës, fillimisht në detyrën e arkivistët e më vonë në detyrën e sekretarit, detyra të cilat i kreu me pedanteri, përkushtim e profesionalizëm deri në 2007. Haxhiu në ushtrimin e detyrës së tij është njohur si njeri me kompetencë, bashkëpunues dhe me zell e përkushtim ka bërë që përveç administratës së Kryesisë të cilën e udhëhoqi vet, të ngritë edhe administratën e këshillave dhe të institucioneve tjera të BI-së. Një kontribut të çmuar haxhi Jashari ka dhënë edhe në përgatitjen e akteve normative të BI-së, duke nisur nga Kushtetuta, pastaj statutet e ndryshme dhe rregulloreve qofshin në kuadër të Kryesisë, këshillave apo edhe të institucioneve siç janë medreseja FSI e të ngjashme, po ashtu edhe dha kontribut të veçantë në fillet e periodikut islam në gjuhën shqipe, konkretisht në numrat e parë të revistës “Edukata Islame” kur iu bashkua plejadës së prirë nga haxhi Sherif Ahmeti për t’i vënë themelet e periodikut islam te ne, si dhe në cilësinë e sekretarit të Kryesisë së BI-së ka përfaqësuar me dinjitet Bashkësinë Islame në forume e institucionet nga më të ndryshmet ku ka qenë e nevojshme”-tha veç tjerash Myftiu Tërnava, duke i dëshiruar suksese dhe pleqëri të rehatshme.

Ndërkohë ish-sekretari i Kryesisë së BIK-ut, haxhi Jashar ef. Jashari falënderoi Kryesinë e BIK-ut dhe Myftiun Tërnava për këtë organizim dhe mirënjohjen që iu nda dhe respektin e treguar. Ai tha se kam pasur përkrahjen e të gjithë kryetarëve të BIK-ut e edhe të Myftiut Tërnava për t’i  çuar përpara proceset në ditët më të vështira gjatë okupimit, por edhe në liri. Ai ka falënderuar të gjithë ata që ka bashkëpunuar me ta deri më tani.

Në fund të këtij takimi Myftiu Tërnava në emër të Kryesisë së BIK-ut në shenjë mirënjohje për kontributin e tij dhënë në këtë institucion ndau një mirënjohje dhe një dhuratë simbolike për haxhi Jasharin.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Drejtori Simnica priti në takim kryetarin e Xhamisë Shqiptare në Neumarkt të Gjermanisë, z. Naser Gashin

Prishtinë, më 19 prill 2024 Drejtori i Diasporës në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovë…