Prishtinë, 28 maj 2019
Në mbështetje të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, Myftinia e Pukës, organizoi shtrimin e iftarit në qytetin e Pukës. Të pranishëm në këtë iftar, përpos myftiut të Pukës, z. Gëzim Kopanit dhe anëtarëve të Këshillit të Myftinisë së Punës, të pranishëm ishin edhe zv.sekretari i BIRK-ut, Rexhep Luma, drejtori i Kulturës dhe Veprimtarisë Botuese, Ramadan Shkodra, imami i xhamisë “Fatih” në Prishtinë, Bahri Sejdiu dhe përgjegjësi për literaturë pranë BIRK-ut, Agim Gashi.
Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, myftiu i Pukës, Gëzim Kopani, ndër të tjerash tha: “Falënderoj delegacionin e BIRK-ut, që kanë ardhur enkas në qytetin e Pukës, si dhe Myftiun e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili së bashku me bashkëpunëtorët e tij, mundësuan shtrimin e këtij iftari në qytetin e Pukës, i cili tashmë po kthehet në traditë për këtë qytet. Muaji Ramazan është muaji i solidaritetit dhe bashkëpunimin, andaj me këtë rast falënderoj vëllezërit kosovarë për mbështetjen ndaj Myftinisë së Pukës dhe të gjithë atyre që janë bërë shkaktarë për shtrimin e këtij iftari.”
Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, foli zv.sekretari Rexhep Luma, i cili në fjalën e tij tha:
“Ky aktivitet i iftarit, tashmë është shndërruar në iftar tradicional për besimtarët e Pukës me rrethinë. Më lejoni që në emër të Kryesisë së BIRK-ut, dhe në emrin tim dhe të bashkëpunëtorëve që më shoqërojnë, t’u përcjellë përshëndetjet dhe selamet e Myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili ka një kujdes të veçantë ndaj Pukës, kështu që përkrah dhe mbështet aktivitetet e Myftinisë së këtij vendi.”
Në fund, iftari i mbyll me një ligjëratë të mbajtur nga imami Bahri ef. Sejdiu, i cili foli rreth vlerës së dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, e në veçanti rreth Natës së Kadrit.