Prishtinë, 20 nëntor 2018
Për nder të muajit të Mevludit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Ferizajt, sot mbajti manifestimin kushtuar ditëlindjes së Pejgamberit a.s. Manifestimi u mbajt në xhaminë e madhe “Mulla Vesel Guta”, në të cilën para të pranishmëve ligjëroi kryeimami i Republikës së Kosovës Sabri ef. Bajgora.
Fillimisht të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua kryetari i Këshillit z. Bujar Hasani, i cili uroi për këtë muaj, duke e veçuar ditën e lindjes së Pejgamberit a.s., si një nga ditët më të rëndësishme.
Më pas ligjëratën kryesore e mbajti kryeimami Bajgora, i cili tha se jemi ymet fatlumë që jemi pasuesit e Pejgamberit a.s., të cilin Allahu e dërgoi në kohën kur njerëzimi kishte humbur çfarëdo ndjenje të besimit të pastër në Zotin e Madhëruar.
“Ky pejgamber erdhi si lutje e Ibrahimit a.s., i cili në Mekën e bekuar luti të Madhërishmin: “Dërgoju pejgamber nga mesi i tyre”, pastaj erdhi si përgëzim i Isait i cili tha: “Pas meje do të vjen një pejgamber që do të quhet Ahmed”. Sado që përpiqemi të themi fjalë, e kemi të vështirë të përzgjedhim fjalët e duhura, ngase ai nuk ishte një njeri i thjeshtë, por ishte i dërguar i Zotit, i Cili e zgjodhi atë që të jetë rahmet për gjitha krijesat. Zoti në Kuran, në shumë ajete e lavdëroi dhe e ngriti në piedestalin më të lartë të ahlakut Pejgamberin a.s”, tha kryeimami Bajgora.
Allahu në Kuran thotë: “O ti Pejgamber, Ne të dërguam ty dëshmues, lajmëtar, përgëzues e qortues. Dhe me urdhrin e Zotit, thirrës për në rrugën e Tij dhe pishtar ndriçues.” (El Ahzab, 45-46). Pastaj ajetin tjetër: “E ne të dërguam ty (Muhamed) vetëm si mëshirë për të gjitha krijesat” (Enbija, 107)
Ai më tej shtoi se Pejgamberi a.s. ishte ai i cili tërë kohën e kaloi në udhëzim, ishte ai i cili më parë u lut për ymetin e tij, e pastaj për vetën e tij, sa që edhe në momentet e fundit të jetës së tij në këtë botë, ai brengë të tij kishte namazin dhe ymetin e tij, ndaj ne sot duhet të jemi krenar që i përkasim këtij ymeti dhe që jemi pasues të këtij Pejgamberi që Zoti e quajti pishtar ndriçues.
“Aisheja r.a. tregon se një ditë pejgamberi a.s. ishte kthyer nga xhamia me fytyrë të buzëqeshur, e unë i thash: “O i Dërguar i Allahut lute Allahun për mua.” Pejgamberi u lut dhe tha: “O Allah! Falja Aishes gabimet e mëhershme dhe ato të mëvonshme, ato që i bën haptas dhe fshehurazi.” Më pas ai buzëqeshi dhe më pyeti: “A je e kënaqur?”, thash: “Po, o i Dërguar i Allahut”, Pejgamberi a.s. iu përgjigj: “Pasha Zotin, kjo është lutja ime që bëj unë çdoherë për ymetin tim.”
Pejgamberi a.s. arriti që një popull ta nxirrte nga idhujtaria dhe errësira në dritë dhe ta ngre në piedestalin më të çmuar vetëm nëpërmjet urdhrit “lexo”, ndaj ne jemi popull i fjalës “lexo”, mbi ne bie barra e qytetërimit, tha ndër të tjerash kryeimami Bajgora.
Ai gjithashtu foli edhe për rëndësinë dhe vlerën e salavateve kushtuar Pejgamberit a.s., sa që Pejgamberi a.s. në një hadith ka thënë: “Ai që bie salavat mbi mua një herë, Allahu do të bie mbi të salavat 10 herë”.
Më pas programi vazhdoi me pjesën kulturo-artistike me Kuran, ilahi, si dhe pjesë nga mevludi.
Ky organizim do të vazhdojë edhe ditëve të tjera në vijim në xhamitë të tjera të komunës së Ferizajt.