Kryeimami Sabri ef. Bajgora merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Tefsirit në Rijad të Arabisë Saudite
Nën patronatin e Shërbyesit të dy vendeve të shenjta, mbretit Abdullah ibn Abdulaziz të Arabisë Saudite, në organizim të Universiteti “Melik Saud” në bashkëpunim me Katedrën e Kuranit dhe Shkencave të tij, si dhe Qendrës së Tefsirit për studime kuranore, të shtunën më 16.02.2013, në Rijad te Arabisë Saudite filloi punimet Konferenca Ndërkombëtare për përparimin dhe zhvillimin e studimeve kuranore.

Kjo Konferencë, ka mbledhur në Rijad, studiuesit më eminent botëror të Tefsirit dhe shkencave kuranore. Në një Konferencë me studiues ndërkombëtarë, e cila llogaritet si e para e një formati të tillë, po merr pjesë edhe Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Sabri ef. Bajgora, si përfaqësues i shtetit të vetëm evropian pjesëmarrës, Kosovës.
 rijad
Gjatë kësaj konference, profesorët e Tefsirit nga Bota Islame si dhe Orientalistë nga Perëndimi, do të paraqesin vizionet e tyre për zhvillimin e mëtutjeshëm të Tefsirit dhe shkencave kuranore, duke u bazuar në metodat e reja bashkëkohore. Hapja e Konferencës është përcjellë drejtpërsëdrejti, nga kanali i dytë televiziv shtetëror i Mbretërise së Arabisë Saudite.
Gjatë ditëve në vijim, Kryeimami Sabri ef. Bajgora, i cili mbi 20 vite merret intenzivisht me komentimin e Kuranit, para këtij auditoriumi të nderuar do të paraqitet me kumtesën: “Historiku i Tefsirit ndër shqiptarët dhe përpjekjet e tefsirologëve bashkëkohorë shqiptarë në vazhdimin e kësaj tradite të bekuar”.

Ndërkohë, në ditën e 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Kryeimami Sabri ef. Bajgora i shoqëruar nga zv/shefi i Kabinetit të Myftiut Mr.Besim Mehmeti vizitoi edhe ambasadën e Republikës së Kosovës në Rijad, ku mori pjesë në manifestimin solemn të kësaj ngjarjeje madhore historike, së bashku me shumë bashkëatdhetarë që punojnë dhe studiojnë aktualisht në Rijad.
Kryeimami Bajgora do të takojë në një ndejë të veçantë në Rijad, edhe studentët shqiptarë nga Kosova, të cilët do të informohen për rrjedhat aktuale të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit

Familja Sot është ditë feste, ditë gëzimi, ditë mëshire e shpërblimi, ngase të gjitha adhu…