Më 14 qershor, shoqata humanitare bamirëse, “Bereqeti”, ka pranuar mirënjohje nga Kuvendi Komunal i Obiliqit për kontributin e dhënë gjatë pandemisë globale ‘Sars-COV-2”. Kjo mirënjohje nga Kuvendi Komunal i Obiliqit është dhënë në seancën solemne kushtuar përvjetorit të 21-të të Ditës së Çlirimit të Obiliqit. Drejtori i “Bereqetit”, Behxhet ef. Ajvazi, ka pranuar mirënjohjen në seancën solemne të së dielës nga kryesuesi i Kuvendit Komunal, Burim Gërguri. Kjo mirënjohje “Bereqetit” iu dha nga kryesuesi me motivacionin për humanitetin, gatishmërinë dhe përkushtimin e dëshmuar gjatë pandemisë globale ‘Sars-COV-2.
Me këtë rast, drejtori i “Bereqetit”, Behxhet ef. Ajvazi, falënderoi Komunën e Obiliqit që ka vlerësuar lart kontributin e “Bereqetit” dhe për solidarizimin me qytetarët e kësaj komune gjatë pandemisë, si dhe të gjithë donatorët që kanë qenë pjesë e këtij aksioni, në mënyrë që gjithë familjeve t’u lehtësohet gjendja ekonomike. Shoqata humanitare bamirëse “Bereqeti” gjatë pandemisë globale ‘Sars-COV-2”, ka qenë aktive në gjithë territorin e Kosovës duke shpërndarë më shumë se 25 mijë pako me produkte ushqimore dhe higjienike. Po ashtu, gjatë kësaj periudhe ka shpërndarë më shumë se 130 mijë kilogramë miell.
Duhet theksuar se SHHB “Bereqeti” gjatë muajit të bekuar të Ramazanit ka shpërndarë mbi 25 mijë pako ushqimore dhe higjienike për familjet me nevojë në tërë territorin e Kosovës.