Prishtinë, më 30 mars 2024
Sonte, me rastin e fillimit të dhjetënetëshit të fundit të Ramazanit, Këshilli i Bashkësisë Islame në Obiliq, në bashkëpunim me Kuvendin Komunal të Obiliqit, organizoi tribunë, dhe më pas edhe iftar me qytetarë në sheshin e qytetit.
Aktiviteti i mbajtur në Shtëpinë e Kulturës “Xhavit Haziri“, filloi me fjalën përshëndetëse të organizatorit që e mbajti kryeimami i Këshillit, Izedin ef. Krasniqi.
Në emër të bashkëorganizatorit, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunës, z. Xhafer Gashi, i cili i uroi ata për agjërim dhe lutje të pranuara. Ai gjithashtu shprehu kënaqësinë për një bashkëpunim të mirfilltë me KBI-në e Obiliqit, duke premtuar se ky koordinim do të jetë i vazhdueshëm në të mirë të qytetarëve.
Të pranishmëve iu drejtua Ahmet ef. Sadriu, sekretar i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili i përshëndeti ata në emër të Kryesisë dhe Myftiut të Kosovës. Ai në fjalën e tij foli në pika të shkurtëra për rëndësinë e muajit Ramazan dhe dhjetënetëshit të fundit të tij, ku mes të tjerash theksoi rëndësinë e bamirësisë dhe kontributeve të qytetarëve në mbarëvajtjen e aktivitetit të institucionit kompetent për jetën fetare, pra Bashkësisë Islame të Kosovës.
Fjalimin qendror të paraparë në program e mbajti imami i qytetit, njëherësh edhe kryetar i KBI-së në Obiliq, Rexhep ef. Qerkezi.
Ai foli për rëndësinë e këtyre netëve, e sidomos për veçoritë e Natës së Kadrit, që është nata më e veçantë e vitit për nga vlera dhe shpërblimet që Allahu xh.sh. i dhuron besimtarëve në të.
Pjesa e dytë e këtij manifestimi filloi me homazhet dhe lutjet te pllaka përkujtimore e dëshmorëve të Obiliqit, ndërsa më pas programi vazhdoi me iftarin në qendër të qytetit, i cili ishte organizuar për mbi 1200 qytetarë.