Prishtinë,24 qershor 2016
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, në bashkëpunim me Ambasadën e Emirateve të Bashkuara Arabe në Podgoricë, ka shtruar iftar për imamët e rajonit të Prishtinës. Në këtë iftar qe i pranishëm edhe vetë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë, si dhe drejtuesit e Këshillave vendorë.
Në fjalën e tij myftiu Tërnava, duke iu drejtuar të pranishmëve, i përgëzoi për punën madhore që po bëjnë në xhamitë e tyre, si dhe u lut që Allahu të pranojë agjërimin dhe ibadete tona, dhe të na fuqizojë edhe më në besimin tonë, ndërsa në këtë dhjetëditëshin e fundit të shtojmë edhe më shumë ibadetet, bamirësinë, solidaritetin dhe sjelljet e mira me njëri-tjetrin, sidomos edhe me ata që kanë nevojë për ndihmë tonë dhe dorën tonë, pra që të gjendemi pranë tyre.
Sepse, duhet ditur se Allahu është me ne, dhe ne duhet të jemi në përkujdesje të vazhdueshme. Myftiu po ashtu kërkoi nga imamët që të jenë edhe më në krye të detyrave, sepse kemi marrë një përgjegjësi të madhe ndaj këtij vendi dhe populli, e nesër para Zotit do të japim llogari për këtë. “Kërkoj nga ju që këtë përgjegjësi edhe më tepër ta përjetoni, ta kapni dhe ta joshni, si dhe ta fusni në thellësinë e mendjes dhe zemrës, dhe këtë përgjegjësi edhe më shumë t’ua fuqizoni fëmijëve tuaj, të cilët kur i shikon me syrin e devotshëm, patjetër se e shihni begatinë e të Madhit Zot tek ata. Në këtë rast edhe do ta kujtoni se çfarë na ka falur Zoti në këtë dynja. Vetëm shikimi nga thellësia e shpirtit do të na fuqizojë që edhe më të punojmë në raport me përgjegjësinë që e kemi me xhematin, vatanin, Allahun, dhe shpjegimin e kësaj fjale të Zotit, që na ka urdhëruar të jemi në vazhdimësi të mirë dhe të përcjellim mesazhe paqeje, njerëzore, afrie dhe të ndihmës me njëri-tjetrin. Feja jonë e bekuar asnjëherë nuk e ka lejuar përtacinë dhe papunësinë e neglizhencën, për të mos pasur rrëshqitje pa dashje, që ne të irritojmë fenë te të tjerët, dhe që ata ta shikojnë fenë tonë si një fe që thërret në antivlera, gjakderdhje, në vrasje, në krime e tortura, si dhe shumë gjëra që nuk i përkasin fesë sonë”, ka shtuar myftiu Tërnava.
Myftiu Tërnava në fund tha se këto porosi mund t’i nxjerrim nga Kurani e hadithi, e për ta mbajtur gjallë këtë din në këto troje dhe e lusim Allahun për mëshirë e bereqet, dhe që në botë të zotërojë paqja e lumturia mes njerëzve. {gallery}priftar16{/gallery}