Pritje nga zëvendëskryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Reshat ef. Mexhiti me rastin e Kurban Bajramit
Me rastin e festës së festës së Kurban Bajramit Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, nga ora 9 deri në ora 12, organizoi pritje urimi. Për t’i uruar krerët e BIRK-ut për këtë festë, duke filluar nga zëvendëskryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës Reshat ef. Mexhiti, selinë e BIRK-ut e vizituan përfaqësues të institucioneve vendore e ndërkombëtare, të partive të ndryshme e të institucionesh shkencore, fetare e kulturore publike, si dhe individë nga qendrat e Kosovës dhe nga jashtë.
Nga institucionet:
Kryeministri në detyrë, Isa Mustafa
Vikari gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës Don Lush Gjergji,
Oda e avokatëve të Kosovës, Osman Havolli etj.
Nga partitë politike:
Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj,një delegacion nga Lëvizja “Vetëvendosje”, i kryesuar nga Glauk Konjufca, një delegacion nga AKR, i kryesuar nga Islam Pacolli; kryetari i PD-së Ferid Agani; kryetari i Lëvizjes “Fjala” Gëzim Kelmendi, një delegacion nga “Nisma”, i kryesuar nga Shyqeri Bytyqi si dhe shumë personalitete të tjera të jetës politike, kulturore e fetare të Kosovës.
Pas vizitës deklaruan:
Kreyministri në detyrë Isa Mustafa pas urimit tha se “Po shfrytëzoj rastin që edhe këtu në selinë e Bashkësisë Islame të Kosovës t’iu uroj gjithë besimtarëve mysliman festën e Bajramit, një festë e cila na bënë gjithë neve bashkë, një festë në të cilën ne i lutemi Zotit për paqe, për prosperitet, për mirëqenie dhe për sakrifica të përbashkëta të cilat ne duhet gjithë t’i bëjmë, në mënyrë që edhe njerëzimi, edhe vendi ynë të bëjë më mirë. Unë vlerësoj lartë rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës në edukimin e qytetarëve tanë, të njerëzve tanë, tolerancën që kjo bashkësi ka treguar dhe rolin e saj në unitetin e qytetarëve tanë dhe prosperitetin e Kosovës”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i PDK-së, Kadri Veseli shprehu urimet më të sinqerta për të gjithë shqiptarët për festën e Kurban Bajramit, tha se në këtë ditë duhet t’i kujtojnë të gjithë ata që nuk janë më, që ranë në luftën e fundit që sot Kosova të jetë e lirë. “Në këtë festë të shenjtë, në festën e kujtimit të adhurimit ndaj Zotit, sakrificës dhe solidaritetit, kujtojmë të gjithë ato gra e burra që nuk janë më në mesin tonë, familjet e tyre dhe të gjithë ata që kontribuan në luftën çlirimtare dhe u flijuan për lirinë tonë” tha Veseli duke shtuar se Kurban Bajrami, ofron njerëzit, popujt dhe civilizimet, duke dëshmuar se sakrifica për të tjerët është dhuratë e jashtëzakonshme e jetës tonë. Në të njëjtën kohë si komb si shtet të ecim përpara, kemi ende shumë punë për të bërë, ajo është edhe besimi ynë në atdhe, besimi ynë në zot, edhe besimi ynë në shtet.
Kreu u AAK-së pas vizitës së selinë e BIRK-ut tha se kjo festë është moment që u jep besim për të ecur përpara. “Shfrytëzova rastin dhe kam për nderë ta uroj Kurban Bajramin Bashkësisë Islame, gjithë besimtarëve islam, gjithë shqiptarëve tonë që e festojnë këtë festë, urime me fat, dashuri me gëzime për jetën tonë edhe pse një jetë jo e lehtë dhe me mundime, por prapë këto momente të festës na japin besim se do të shkojmë përpara me sukses e me të mira”, u shpreh Haradinaj.
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosjes Glauk Konjufca,tha se kjo festë ua kujton vlerën që ka sakrifica. “Festa e Kurban Bajramit na kujton edhe një herë vlerën që e ka sakrifica, dhe me një porosi shumë të qartë dhe të vlefshme që në shoqëri të mbretëroj parimi i ndihmës për nevojtarët dhe solidariteti me ta. Shfrytëzoj rastin të ua uroj festën e Kurban bajramit të gjithë besimtarëve mysliman kudo që jetojnë si dhe me shpresën që viti tjetër ta gjejë Kosovën, popullin tonë dhe kombin tonë më mirë se sot”, u shpreh Konjufca.
Në emër të Ipeshkvisë së Kosovës, për urime në Bashkësinë Islame të Kosovës ishte Vikari gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës Don Lush Gjergji, i cili përcolli mesazhet e urimit për gjithë vëllezërit e besimit islam për festën e Kurban Bajramit. “Jemi tek vëllezërit tanë shqiptarë të Bashkësisë Islame për të uruar nga zemra festën e Kurban Bajramit në emër të Imzot Dodë Gjergjit dhe në emër të Kishës Katolike në Kosovë. Kjo festë na përkujton flijimin dhe dhurimin të cilin zoti e çmon dhe e shpërblen. Dashtë zoti që edhe ne ta çmojmë flijimin dhe dhurimin e vëllezërve dhe motrave tona. Ta çmojmë, ta nderojmë dhe ta duam njeri tjetrin”, deklaroi Gjergji.