Më 4 tetor 2014, në të gjitha xhamitë e Kosovës, solemnisht u fal namazi i Kurban-Bajramit. Manifestimi qendror për Kosovë u mbajt në Xhaminë e Madhe të Prishtinës, sakaq që falja e namazit të Kurban-Bajramit u organizua në të gjitha xhamitë e Kosovës.
Manifestimi nisi me faljen e namazit të sabahut, të cilit i priu Egzon Ibrahimi, e më pas për rëndësinë që ka festa e Kuban-Bajramit ligjëratën tematike e mbajti kryeimami i BIK, Sabri ef. Bajgora, cili tha se sot është një ditë e madhe e Kurban Bajramit, dita kur lartësojmë Zotin dhe kryejmë obligimet tona ndaj Zotit, duke shpresuar që sot në tërë botën të mbizotëroi paqja, mirësia dhe solidariteti.
Kryeimami Bajgora, gjithashtu, u shpreh se feja Islame është ajo që do udhëheq njerëzimin në horizontet e kësaj jete, sepse nuk ka bardhësi tjetër veç se t’i drejtohen Zotit, që t’i luten atij për mërgimtarët, për të gjithë njerëzit që të ketë mirësi, begati e solidaritet etj.
Ai, po ashtu, ka folur edhe për Haxhin, në të cilin janë duke e kryer edhe shumë mysliman kosovarë.
“Haxhi është kongresi i gjithë myslimanëve. Dita e djeshme e Arafatit ishte dita më e madhërishme e vitit”, tha ai.
Kryeimami Bajgora foli edhe për akuzat që po i vishen Islamit, duke thënë se ajo që po mbretëron në botë e po i vishet fesë Islame, nuk qëndron, sepse vet feja Islame, e ka emrin paqe dhe thërret në paqe.
Ai tha se e kanë zgjedhur rrugën e paqes, sepse feja Islame e ka emrin paqe, Islam, dhe Krijuesi e ka një nga emrat e Tij -Selam, që do të thotë paqe.
“Askush nuk guxon dhe nuk ka të drejtë t’ia vesh Islamit që fatkeqësisht po mbretërojnë sot në botë karshi kësaj feje hyjnore. Një fe që emrin e ka paqe, nuk mund te jetë fe e terrorit. Ata që kryejnë akte makabre ata nuk meritojnë të quhen mysliman… Zoti ynë nuk na mëson të mbysim e të presim, por ai na ka mësuar se nuk ka dhunë në fe, sepse tashmë është sqaruar e vërteta nga e kota”, tha kryeimami Bajgora.
Për të pranishmit kori i BIK dha një program me ashere, kaside e ilahi, ndërsa faljes së namazit të Kurban – Bajramit i priu kryeimami i KBI të Prishtinës, Burhan ef. Hashani.
Hytben e Kurban- Bajramit e mbajti sekretari i përgjithshëm i BIK, Resul ef. Rexhepi, i cili iu drejtuar opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë.
Sot është ditë feste e gëzimi për të gjithë besimtarët myslimanë, ditë që bashkon zemrat e tyre gjithandej ku janë, për të përjetuar me shpirt gëzimin e harenë, duke e falënderuar Allahun për begatitë, nimetet dhe të mirat që na i ka dhuruar Ai. Është festë që i afron rreth vatrës e sofrës familjet dhe të afërmit e tyre.
Resul ef. Rexhepi theksoi se derisa jemi tubuar nëpër xhamitë tona për t’iu lutur Allahut xh.sh. në këtë ditë feste, ne kujtojmë Hazreti Ibrahimin dhe birin e tij hazreti Ismailin, të cilët duke ngritur muret e Qabesë së bekuar, asaj shtëpie të ndershme drejtë së cilës brenda ditës kthejnë fytyrat e tyre myslimanët nga të katër anët e botës, iu luten Allahut, – e përmes gjuhës së tyre, i lutemi edhe ne, – duke thënë:
“O Zoti ynë, pranoje prej nesh, se me të vërtetë Ti je që dëgjon dhe di! Zoti ynë, bëna neve dyve besimtarë të sinqertë ndaj Teje dhe nga pasardhësit tanë, njerëz të bindur ndaj Teje, na i mëso rregullat e adhurimit dhe falna neve, vërtetë Ti je Falësi, Ti je Mëshiruesi!”
Po ashtu, kujtojmë edhe simbolikën e sakrificës së këtyre dy të dërguarve të Zotit dhe jo vetëm që kujtojmë por edhe ndjekim rrugën dhe shembullin e tyre, duke prerë kurban në emër të Zotit.
Ndërsa, duke folur për nevojën që ka njerëzimit për vlerat fetare Resul ef. Rexhepi tha:
Edhe tani kur po kremtojmë festën e Kurban Bajramit në shumë vende të botës kemi vatra të luftërave e konflikteve, ku pësojnë të pambrojturit, civilët, gratë e fëmijët, ku kemi dhunë, vuajtje, shkatërrime e vrasje. Në këtë ditë të madhe lusim bashkërisht të Madhin Zot që me kuvetin e Tij t’i bëjë ata popuj e ato vende që sa më parë të heqin dorë nga konfliktet e shkatërrimet e t’i kthehen paqes dhe jetës normale.
Njerëzimi sot ka nevojë për vlera fetare e shpirtërore, prandaj në këtë ditë të shënuar dhe nga ky vend i bekuar, i ftoj të gjithë besimtarët tanë, të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, që të bashkëveprojmë drejtë ndërtimit të një shoqërie pa dallime të mëdha, për një solidaritet e mirëkuptim, për tolerancë e mbështetje ndaj njëri-tjetrit.{gallery}kb14{/gallery}
Udhëheqësit më të lart institucional në selinë e BIK për Kurban-Bajram
Me rastin e festës së Kurban-Bajramit personalitetet më të larta të vendit përgëzuan udhëheqësit më të lart të BIK në selinë e Kryesisë, ku pritjes i priu zëvendëskryetari, Reshat ef. Mexhidi.
Për të uruar në selinë e BIK erdhën: Zëvendëskryeministri – Hajredin Kuçi, i shoqëruar nga ministri Ferid Agani; Kancelari i Ipeshkvisë-Don Lush Gjergji; Kryetari i LDK-së- dr. Isa Mustafa; Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”-Albin Kurti; Kryetari i AAK-së –Ramush Haradinaj; Kryetari i Nismës për Kosovën,- Fatmir Limaj; si dhe shumë personalitete të tjera të jetës politike, kulturore e fetare të Kosovës.{gallery}kb14pritja{/gallery}