Prishtinë, 4 maj 2016
Në 17 vjetorin e rënies dëshmor të Hoxhë Jonuz Zejnullahut, në shtëpinë e kulturës “Gursel e Bajram Sulejmani” në Viti, më 4 maj u mbajt akademi përkujtimore. Këtë ngjarje e organizoi Këshilli i Bashkësisë Islame i Vitisë, në bashkëpunim me Shoqatat e dala nga lufta. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të strukturave komunale, KBI të rajonit, familjarë të dëshmorëve etj.. Akademia u hap me leximin e disa vargjeve kuranore.
Në emër të Kryesisë së BIK-ut të Kosovës dhe të myftiut Naim Tërnava një fjalë rasti e mbajti dekani i Fakultetit të Studimeve Islame në Prishtinë, Prof. Dr. Fahrush Rexhepi, i cili duke shpalosur jetëshkrimin dhe biografinë e Hoxhë Jonuz Zejnullahut tha se ai ishte i edukuar në frymën e unitetit fetar dhe kombëtar, dhe mësoi për mbrojtjen e identitetit tonë kombëtar. “Hoxhë Jonuz Zejnullahu ishte fetar, atdhetar i madh dhe dëshmor i kombit. I edukuar në frymën fetare islame dhe kombëtare, i ndikuar nga rrethi i tij familjar, Hoxhë Jonuz Zejnullahu ndoqi mësimet e mesme fetare në Medresenë “Alauddin” në Prishtinë, ku u dallua si nxënës i vyeshëm dhe i aftë. Gjatë shkollimit në Medrese ai arriti të pajiset me njohuri të larta fetare, moralizuese, shoqërore, filozofike e shkencore. Krahas edukimit fetar, ai u ngrit dhe u kalit edhe në frymën patriotike kombëtare”, tha dekani Rexhepi. Ai më tutje shtoi se nuk është rastësi që shumë nga prijësit fetarë nga rilindja më parë dhe më pas u vunë në krye të lëvizjes së armatosur, dhe ranë dëshmorë për çlirimin kombëtar, si: Haxhi Ymer Prizreni, Haxhi Zeka, Hoxhë Voka, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hoxhë Kadri Prishtina, Mulla Idriz Gjilani, si dhe shumë të tjerë që jetën ia falën vatanit.
Kryetari i KBI në Viti, Husamedin Hoxha, duke iu drejtuar të pranishmëve, tha: “Vepra historike e dëshmorit-Hoxhë Jonuzit, – na tregon më së miri se institucionet fetare islame në Kosovë, krahas punës së tyre për të lartësuar fjalën ë Zotit, kanë ditur të nxjerrin edhe personalitete e patriotë që i kanë dalë zot atdheut, për liri dhe pavarësi.
Hasan Aliu, nënkryetar i Vitisë, tha se figura e dëshmorit Hoxhë Jonuz Zejnullahu është argumenti më i mirë se dëshmorët e kombit dhe vepra e tyre do të mbeten sinonim i brezave të ardhshëm. “Sot këtu na ka bashkuar vepra dhe heroizmi i dëshmorit të kombit Hoxhë Jonuz Zejnullahu, i cili pos që pati mision edukimin e brezave dhe shërbimin në aspektin fetar, primare e kishte edhe çlirimin e atdheut nga pushteti serbo-sllav.
Në emër të familjes së dëshmorit Hoxhë Jonuz Zejnullahu pjesëmarrësit i përshëndeti mbesa e tij, Hava Zejnullahu, si dhe me një fjalë rasti u paraqit edhe Abdyl Bajrami, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës, dega në Viti.
Në fund u shfaq një pjesë e filmit dokumentar për dëshmorin Hoxhë Jonuzin, me titull “Hoxhë Jonuz Zejnullahu legjendë e Luftës Çlirimtare”.
Hoxhë Jonuzi ra dëshmor në Betejën e Koshares, më 5 maj 1999, në një aksion kundër forcave të armikut, duke u hedhur në bunkerin e ushtrisë serbe, me ç’rast eliminoi disa ushtarë të armikut dhe vetë kaloi në botën e amshueshme, për të mos vdekur kurrë.{gallery}jonuzzejnullahu{/gallery}