Lidhur me fjalën e Patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe zotëri Irineit me rastin e shugurimit të Peshkopit Teodosie në Prizren, Kryesia e Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës bënë këtë

REAGIM

Me rastin e shugurimit të peshkopit Teodosie, në të cilën mori pjesë edhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe (KOS) zotëri Irinej e nën udhëheqjen e të cilit u mbajt meshë shuguruese, patriarku Irinej në fjalimin e tij me atë rast nuk mundi ti përmbahet kodit fetarë e njerëzorë, por, siç e kanë zakon titullarët më të lartë të KOS-it, hodhi baltë e vrer, duke e përmendur raportin e Dik Martit, madje deri në mallkimin “e atyre që kanë përfituar materialisht nga shitja e organeve të trupit të njerëzve”.
Ne kemi prit që ai si lider fetar, në një objekt fetarë dhe në një rast solemn si ai i djeshmi në Prizren, do të fliste për paqe e bashkëjetesë në mes njerëzve, do ti ftonte njerëzit në tolerancë e mirëkuptim. Nga ai është prit me të drejtë që të përcjellë mesazhe paqeje dhe kërkimfalje  për gjenocidin e bërë  ndaj popullit shqiptarë gjatë shekullit të kaluar, për ti hapur rrugën pajtimit historik të dy popujve e për ti dhënë fund gjuhës së urrejtjes dhe armiqësisë. Mirëpo, për fat të keq kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, vazhdoi avazi i vjetër dhe gjuha e paragjykimeve dhe insinuatave për ti mallkuar njerëzit pa fakte dhe argumente.
Deri sa Patriarku në Prizren i përmend viktimat e palës serbe, për të cilën edhe ne ndjejmë dhembje sepse viktima është viktimë pavarësisht përkatësisë fetare apo etnike, mirëpo, ai me këtë rast “harron” ti përmend 1824 të pagjetur të cilëve akoma nuk ju dihet asnjë gjurmë, përgjegjësinë e të cilëve e banë qeveria dhe institucionet serbe.
Irinej i përmend mira shtëpi të djegura të serbëve në Kosovë, por ai përsëri “harron” ti përmend mbi 200.000 shtëpi të shqiptarëve të djegura nga forcat ushtarake dhe policore serbe në Kosovë në mënyrë sistematike.
Patriarku i përmend kishat e djegura në Kosovë, djegien e të cilave ne me kohë e kemi gjykuar, ndërkaq, i pari i KOS-it përsëri “i harron” 218 xhami dhe objekte fetare islame, përfshirë këtu edhe selinë e Kryesisë së Bashkësisë Islame, ndonëse autorët e shkatërrimit të tyre dihen.
Patriarku serb vjen në Prizren dhe mallkon njerëz pa u bazuar në argumente a fakte, por do të pyesnim: a thua Patriarku  din për 15.000 të mbytur, të masakruar, të djegur në Prekaz, Reçak, Likoshan e Çirez, në Qyshk e Podujevë, në Suharekë e Prizren, në Izbicë dhe në shumë vende tjera gjithandej nëpër Kosovë e kufomat e të cilëve, për ti fshehur gjurmët e krimit, policia dhe ushtria serbe i hodhi në Danub dhe në Banjicë e mbase edhe në vende tjera që ne nuk i dimë.
Përkundër gjithë kësaj,  na mbanë shpresa se, me ardhjen e peshkopit Teodosie në krye të dioqezës Rashkë-Prizren, gjërat do të lëvizin për së mbari dhe se dialogu ndërfetarë do të riaktivizohet dhe së bashku do t’i kthehemi të së ardhmes tonë të përbashkët.
Kryesia e Bashkësisë Islame në Republikën e Kosovës e gjykon pjesën e fjalimit të Patriarkut Irinej si jo parimor. Kjo nuk përkon  me parimet e feve tona. Kjo nuk përkon as me angazhimet tona të vazhdueshme për ndërtimin e një shoqërie shumë etnike, ku bashkëjetesa dhe toleranca  do të jenë vlera më të çmuara të shoqërisë sonë.

  • Tender

    Prishtinë, 20 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës Shpall: I. …
  • Tender

    Prishtinë, 12 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës Shpall:&nbs…
  • Konkurs

    Datë: 6 nëntor 2024 Këshilli i Bashkësisë Islame në Drenas, shpallë: K O N K U R S Për plo…
Shfaq më shumë në Njoftime

Shfleto

Tender

Prishtinë, 20 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës Shpall: I. …