Prishtinë, 30 qershor 2016
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, shtroi iftar për myftiun Tërnava dhe bashkëpunëtorët e tij. Në fjalimet e tyre presidenti Thaçi dhe myftiu Naim ef. Tërnava dënuan sulmin e fundit në aeroportin e Stambollit, si dhe bënë thirrje për të luftuar terrorin dhe ekstremizmin. Në fjalimin e tij presidenti Thaçi theksoi se agjërimi vë në pah virtytet më të larta morale të njeriut, duke forcuar disiplinën personale si dhe rezistencën ndaj lakmisë dhe tundimit. Ai gjithashtu shprehu dhembje për myslimanët që jetojnë në gjendje të rëndë, në zona të prekura nga lufta, si në Siri e Irak. Ai po ashtu në këtë vazhdë tha se në këto ditë lutjet shkojnë për familjarët dhe viktimat e terrorit. Thaçi shprehu mbështetjen morale për popullin mik turk, pra për tragjedinë me të cilën është ballafaquar.

“Ngjarjet dramatike në aeroportin e Stambollit tregojnë edhe një herë që terrorizmi nuk njeh përkatësi fetare apo etnike, se myslimanët janë viktimat më të shumta nga ky fenomen jonjerëzor. Ne të gjithë, si kurrë më parë, duhet të angazhohemi që ta luftojmë pa kompromis ekstremizmin e dhunshëm. Unë vlerësoj lart rolin që luani në shoqërinë e besimit fetar, dhe ju përgëzoj si udhëheqës shpirtërorë të Bashkësisë Islame për punën e palodhur që bëni me besimtarët”, tha presidenti Thaçi, duke vlerësuar dhe çmuar punën e BIK-ut dhe të imamëve, e posaçërisht shprehu mirënjohje për përpjekjet e tyre edukative, që synojnë që qytetari të përqafojë vlerat themelore të shoqërisë sonë.

Ndërkaq, myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, falënderoi presidentin Thaçi për këtë iftar të shtruar, duke vënë në dukje se muaji Ramazan begaton njerëzit me ndjenjën e fisnikërisë dhe të bujarisë, me shtrirjen e dorës ndaj atyre që kanë nevojë. “Falënderoj gjithë ata që nëpërmjet Bashkësisë Islame ndihmuan mbi 15 mijë familje nevojtare gjatë këtij muaji Ramazan”, tha myftiu Tërnava, duke përmendur edhe ngjarjen tragjike që ndodhi në aeroportin “Ataturk” të Stambollit , për çka u shpreh se BIK-u solidarizohet me familjarët e njerëzve të pafajshëm që pësuan nga kriminelët terroristë.

“Krimi, terrori, ekstremizmi nuk njeh as komb, as ngjyrë, as racë dhe as fe. Andaj, të gjithë ne duhet të bashkëpunojmë edhe më shumë që një e keqe e tillë, asnjëherë mos dhëntë Zoti, të mos ndodh më askund në botë, e në veçanti edhe në shtetin tonë. Sigurisht që BIK-u në këtë drejtim ka dhënë dhe do të japë një kontribut jashtëzakonisht të madh”, u shpreh myftiu Tërnava, duke shtuar se nesër në të gjitha xhamitë e Kosovës do të ketë lutje për viktimat, dhe do të dërgohet një mesazh i përbashkët për popullin turk.

{gallery}psdntiftar{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt ligjëratë kushtuar dijetarit, prijësit dhe udhërrëfyesit Vehbi ef. Dibra nga Besnik Mustafaj

Prishtinë, më 25 prill 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka organizuar sot ligjë…