Në Xhaminë e Madhe në Ferizaj, “Mulla Vesel Guta”, për trembëdhjetë muaj me radhë ndoqën kursin e leximit të Kur’anit një grup i veçantë nxënësish. Më i moshuari 80 vjeçar ndërsa më i riu 17, vendosën që të mësojnë leximin e Kur’anit. Haxhi Ahmet Sadiku, Haxhi Nexhip Ajeti, Haxhi Hamdi Miftari, Haxhi Hetem Ibrahimi, Sadat Bakolli, Xhemil Elezi, Ismet Zeqiri, Ramush Krasniqi, Hasan Bega, Sami Kamberi, Xhelal Topalli, Bujar Abdullahu, Faik Mehmeti, Shpëtim Ahmeti, Faton Hyseni, Muzafer Aliu dhe Valon Ymeri, ndoqën intensivisht dhe me përkushtim mësimet pranë mualimit Mustafë ef.Ahmeti, pranë Xhamisë së Madhe dhe imamit Adem ef. Hoxha.
Ky është edhe një kontribut dhe vazhdimësi e përkushtimit të KBI-së së Ferizajt për të vazhduar me aktivitete fetare në territorin e Ferizajt. Në këtë ngjarje mori pjesë Myftiu i Republikës së Kosovës Mr. Naim ef. Tërnava me bashkëpunëtorë, kryetari i KBI të Ferizajt, Fehmi ef. Mehmeti me stafin e tij, si dhe të pranishëm të tjerë. “Sot po begatoheni me një mirësi tepër të madhe, e ajo është mundësia e leximit të Fjalës së Allahut ashtu siç zbriti. Ky edhe është ibadet ndër ibadetet. Tash, kur ju e hapni Kur’anin, aty mishëroheni me të, saqë i tërë trupi shndërrohet në diçka të lexuar. Është diçka që nuk shpjegohet, por përjetohet”, tha Myftiu i Kosovës, Mr. Naim ef. Tërnava. Ai ndër të tjera shtoi se puna më e madhe që sot mund ta bëjë ndonjë imam është t’i mësojë xhematit të tij leximin e Kur’anit. “Dëshiroj t’ju uroj për këtë hatme të Kur’anit! I keni begatuar shtëpitë, sepse aty ku lexohet Kur’ani ka edhe bereqet më shumë, ka edukatë më shumë dhe gjithçka është më shumë. E lus Allahun që për çdo harf (shkronjë) që e keni lexuar dhe do ta lexoni t’ju shpërblejë ju, imamin dhe të gjithë ata që janë angazhuar t’ju ndihmojnë”, tha në fund Myftiu Tërnava. Ndërsa, në emër të grupit të nxënësve të pranishmit i ka përshëndetur Haxhi Hetem Ibrahimi. Pas falënderimit drejtuar Myftisë dhe bashkëpunëtorëve të tij për pjesëmarrje në duanë e hatmes së tij dhe grupit të bashkëmoshatarëve të tij, shumica prej të cilëve pensionistë, H. Hetem Ibrahimi ndër të tjera tha: “Kur kemi mësuar alfabetin e gjuhës shqipe nuk kemi ditur të gëzohemi. Atëherë nuk kishim idenë e rëndësisë që kishte të mësuarit e shkrim-leximit. Sot, kur shumica jemi të moshuar, dhe me përkushtim arritëm të mësojmë alfabetin arab dhe të lexojmë Kur’anin në origjinal, për ne nuk ka lumturi më të madhe”, tha ndër të tjera Ibrahimi.{gallery}hifzfrz{/gallery}