Prishtinë, 25 qershor 2017
Si tradicionalisht, pas përfundimit të muajit të Ramazanit, më 24 qershor 2017, në të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, me gëzim e hare u kremtua përfundimi i muajit të agjërimit – Ramazanit sherif, duke falur namazin e Fitër Bajramit. Manifestimi qendror kushtuar festës së Fitër Bajramit për Kosovë u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet – Fatih” në Prishtinë, ndërsa nisi me faljen e namazit të sabahut në ora 04.19, të cilit i priu Vedat ef. Sahiti. Pas namazit të sabahut për besimtarët u dha një program me ilahi, kaside e këndim Kurani, ndërsa ligjëratën tematike kushtuar festës së Fitër Bajramit e mbajti prof. Mr. Ekrem Maqedonci, i cili përveç tjerash tha se dita e Fitër Bajramit është ditë e festimit, gëzimit dhe paqes, mirëkuptimit, tolerancës dhe solidaritetit me njeri-tjetrin. Ai më tutje vuri në dukje se ne si agjërues jemi shumë të kënaqur për punën që kemi bërë në këtë muaj, por kjo nuk nënkupton qe me përfundimin e këtij muaji, ka përfunduar edhe aktiviteti ynë, adhurimet tona, bujaria, humaniteti apo solidariteti ynë, përkundrazi ne duhet të jemi produktiv e pozitiv në shoqërinë tonë, sa të frymojmë në këtë dynja, ngase feja e Zotit Fuqiplotë nuk është për t’u praktikuar vetëm për një kohë, vetëm për një muaj, apo vetëm brenda mureve të xhamisë, por është një sistem jete që synon që njeriun çdo ditë e më shumë ta bëjë me produktiv e punëtor. Për këtë arsye dijetari i njohur Ibn Rexhep El-Hanbelij thotë: “ Nuk është festa e Bajramit vetëm për tu veshur bukur, por festa dhe Bajrami është pikërisht për ata të cilët ibadetet dhe produktiviteti i tyre është çdo herë në rritje e sipër”, andaj edhe ne duhet të përpiqemi që ibadetet dhe aktivitetet tona mos të përfundojnë me përfundimin e muajit të Ramazanit, ngase besimtarët e sinqertë nuk guxojnë të jenë besimtar sezonal, ani pse kërkohet nga ne që aktiviteti ynë të jetë më i theksuar në këtë muaj të bekuar, sesa në muajt e tjerë.
Ai më tutje ka kërkuar unifikim dhe bashkëqendrim të radhëve tona. Madje Zoti i Madhërishëm për të na mësuar në koordinim e në unifikim, na obligoi të jemi të organizuar jo vetëm në çështje të dynjallëkut, por na bëri obligim që edhe disa ibadete t’i kryejmë e kultivojmë në mënyrë kolektive e të organizuar, vetëm e vetëm për të mbjellë tek ne frymën e unitetit dhe ta mishërojë tek ne punën e përbashkët kolektive, siç janë namazi i xhumasë dhe ai i bajrameve, që nuk mund të kryhen vetëm, por mund të manifestohen vetëm kolektivisht, pranë njëri-tjetrit. Pastaj, na bëri obligim tjetër që duhet të kryhet një herë në vit që është agjërimi i muajit të Ramazanit, ku të gjithë myslimanët e botës të unifikuar dhe në të njëjtën mënyrë i respektojnë normat ose rregullat e agjërimit, të syfyrit dhe iftarit bashkërisht.
Prezantimin e faljes dhe mënyrë së faljes së Bajramit e bëri prof. Ahmet Sadriu, drejtor i drejtorisë për Shtyp dhe Veprimtari Botuese në Kryesi të BIRK-së.
Namazit të Fitër Bajramit i priu Sabri ef. Bajgora-kryeimam i Republikës së Kosovës, ndërsa hytben e Bajramit e mbajti Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili edhe iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë duke theksuar se këto festa ngjallin ndjenjën për vepra të mira. Ai ka veçuar se ky Ramazan le të shërbejë si motiv e mësim për punë të mëtutjeshme në forcimin e fesë e të atdheut, të punojmë bashkërisht e pa hile në çuarjen para të proceseve në të mirë të vendit, të popujve tanë e të atdheut tonë ku i Madhi Zot na ka Krijuar dhe na ka obliguar që t’i dalim zot këtij vendi. ” Për ta ruajtur porosinë Hyjnore dhe mësimet e Muhamedit a.s. nga çdo kush që tenton t’i devijojë ato duhet të ngrisim zërin dhe të themi se Islami është i pastër nga çdo gjë e ligë që tashmë i mëveshët Islamit.Edhe sot nga ky vend i shenjtë ju themi të gjithëve se një rrugë të vetme ka e ajo është rruga e paqes, harmonisë, tolerancës, bashkëjetesës, dashurisë e respektit për tjetrin. “, u shpreh myftiu Tënava.

Një pjesë e madhe e botës Islame sot përjetojnë një krizë të thellë morale e kulturore, krizë identiteti e nxitur nga faktorë të ndryshëm, ndaj rikujtimi i shëmbëlltyrës së Muhamedit a.s. është një rizgjim i serishëm i ndjenjës edhe ashtu të strukur e të humbur në këtë vorbull të ngjarjeve e luftërave të pa kuptimta të cilat edhe më e ngufatin atë ndjenjë duke mos e lënë që të jap frytin e saj.
Allahu xh.sh. thotë: “Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e Allahut në botën tjetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh Allahun”.( El Ah-zab,21).Ky rikujtim ngjall edhe më tepër në zemrat tona dashurin ndaj Muhamedit a.s. në veçanti tek ne besimtarët e këtyre trojeve, ngase dashakeqet, e njerëzit e shitur duke përdorur strategji prej më të ndryshmeve arritën të fusin në mesin tonë njerëz të cilët në emër të fesë së pastër islame mbollën paqartësi e urrejtje mes besimtarëve, duke i shtrembëruar dhe keqinterpretuar parimet e pastra e të drejta Islame me teza jo reale, intriga e indoktrinime, me qëllim largimi nga e kaluara e tyre e lavdishme, nga feja dhe traditat e tyre, duke i zëvendësuar ato me të huajat.

Ndërkaq myftiu Tërnava duke uruar se ky Ramazan duhet të shërbejë që të punohet bashkërisht e pa hile në çuarjen e proceseve përpara në të mirën e atdheut, apeloi tek të gjithë faktorët politik dhe institucione të vendit “që t’i lënë anash interesat partiake, personale e grupore dhe të angazhohen seriozisht në ruajtjen e unitetit veprues në të mirë të vendit e të popullit, sepse populli i Kosovës para vetes ka shumë sfida e shumë punë që “vendin ta bëjnë ashtu siç e dëshirojnë”-përfundoi ai.
Në fund ai ka apeluar më urtësinë e zemrës te të gjithë faktorët politik e institucion të vendit që të lënë anash interesat partiake, personale a grupore, e të angazhon seriozisht në ruajtën e unitetit veprues në të mirë të vendit e popullit, sepse para vetes kemi shumë sfida e shumë punë për të bërë që vendin tonë ta bëjmë ashtu siç e dëshirojmë. .
Mirësia e Zotit le ta përqafojë botën mbarë.

Edhe duanë e namazit të Fitër Bajramit e bëri myftiu Tërnava, pas së cilës uroi të gjithë besimtarët për këtë ditë të bekuar të Fitër Bajramit.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava priti në takim shefen e UNMIK-ut, znj. Carolina Ziadeh

Prishtinë, më 9 tetor 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…