Prishtinë, 31 korrik 2020
Në ditën e parë të Kurban Bajramit, nën organizimin e Bashkësisë Islame të Kosovës ka filluar therja e kurbaneve për të cilët besimtarët myslimanë përmes këtij organizimi kanë pasur mundësi të therin kurban duke kryer kështu më lehtë këtë obligim.
Menjëherë pas fillimit të punës, një ekip nga Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, kanë inspektuar punët që janë duke u kryer për çka janë shprehur tejet të kënaqur. Sekretari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, tha se u nda tejet i kënaqur me punën, angazhimin dhe pastërtinë në therjen e kurbanëve.
Po ashtu ai tha se organizimi i therjes së Kurbanëve në këtë kohë të pandemisë ka qenë tejet i vështirë, por falë angazhimit të strukturave të Bashkësisë Islame është arritur që të gjithë besimtarët të therin kurban me lehtësi.
I kënaqur me punën, pastërtinë dhe me gjendjen e kurbaneve u shpreh edhe inspektori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Kurtish Krasniqi. Ai tha se gjendja e gjedheve ka qenë tejet e mira dhe gjithë procesi ka shkuar në rregull, duke shtuar se i gjithë mishi është i një cilësie të lartë.