Prishtinë, më 14 janar 2025

Në Xhide të Arabisë Saudite ka filluar punimet Konferenca dhe Panairi për Shërbimet e Haxhit dhe Umres. Në këtë Konferencë, me ftesë të ministrit të Haxhit dhe Umres, dr. Tevfik Rabiah, po merr pjesë edhe delegacioni i Bashkësisë Islame të Kosovës, i kryesuar nga Myftiu Naim ef. Tërnava.

Konferenca u hap nga zëvendësemiri i rajonit të Mekës, princi Saud bin Mishal, i cili lexoi fjalimin e mbretit Selman bin Abdulaziz al Saud. Në fjalën e tij, mbreti theksoi përkushtimin e Arabisë Saudite për t’u shërbyer haxhilerëve në çdo aspekt, duke konfirmuar se vendi do të vazhdojë të angazhohet dhe të punojë për ofrimin e shërbimeve më të mira të mundshme për të gjithë vizitorët e dy vendeve të shenjta.

Në fjalën e tij hapëse, ministri saudit i Haxhit dhe Umres, dr. Tevfik Rabiah, deklaroi se Arabia Saudite, duke u nisur nga porositë hyjnore dhe mësimet profetike, krenohet që është në shërbim të mysafirëve të Allahut. Ai nënvizoi përkushtimin e vendit për t’u ofruar haxhilerëve dhe umrexhive shërbime të nivelit më të lartë. Ministri vlerësoi gjithashtu angazhimin e Kujdestarit të Dy Vendeve të Shenjta, Mbretit Selman dhe princit të kurorës Muhamed bin Selman, të cilët, sipas tij, i nxisin për të ofruar shërbime cilësore. Ai informoi të pranishmit se gjatë vitit 2024, dy vendet e shenjta janë vizituar nga mbi 18.5 milionë besimtarë për të kryer haxhin dhe umren.

Ndërkohë, në hapjen e konferencës foli edhe Abdulkerim el Isa, sekretari i përgjithshëm i RABITA-s, i cili vuri në dukje se e gjithë bota islame dëshmon për shërbimet e jashtëzakonshme që Arabia Saudite ofron për vizitorët e saj.

Në këtë Konferencë po marrin pjesë myftinj, ministra dhe drejtues të institucioneve përgjegjëse për organizimin e haxhit nga më shumë se 95 vende. Konferenca do të vazhdojë punimet deri më 16 janar dhe do të trajtojë tema të rëndësishme, si produktet, shërbimet, projektet dhe investimet në sektorin e Haxhit dhe Umres. Pritet që panairin ta vizitojnë mbi 150,000 persona.

Myftiun Naim ef. Tërnava, në këtë Konferencë dhe Panair po e shoqërojnë kryeimami i Kosovës Vedat ef. Sahiti, shefi i kabinetit të Myftiut Besim ef. Mehmeti dhe zv.kryeimami Fatmir ef. Iljazi.

Shfaq më shumë në Aktuale

Shfleto

Myftiu Tërnava takoi zëvendësministrin për Çështje të Umres së  Arabisë Saudite, dr. Abdulaziz Vezan

Prishtinë, më 14 janar 2025 Në kuadër të takimeve me personalitetet që po marrin pjesë në …