Prishtinë, 10 maj 2018

Organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame në Rahovec, në qendrën kulturore “Mensur Zyberaj” të këtij qyteti, u mbajt dua e hatmes, ku përveç mysafirëve mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava bashkë me një pjesë të kabinetit të Kryesisë . Fillimisht mysafirët i përshëndeti kryetari i KBI-së së Rahovecit Shani Sylka, i cili falënderoi Myftiun Tërnava me bashkëpunëtorë për pjesëmarrje dhe theksoi se kjo është një ditë shumë e rëndësishme meqë po bëhet duaja e hatmes për gjeneratën XIII të 86 vijuesve të mësimbesimit .

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu Naim Tërnava fillimisht uroi për afrimin e muajit të bekuar të Ramazani, pastaj tha: “I kërkojmë Zotit që të në e mundësojë ta agjërojmë këtë muaj ashtu siç i ka hije një besimtari dhe të shtojmë dhe më tepër lutjet dhe adhurimet ndaj Allahut . Ai më pas foli përkitazi me rëndësinë e mësimbesimit që ka në jetën e myslimanit duke çmuar punën dhe kontributin e imamëve të Rahovecit dhe kjo është evidente, dëgjohet, shihet dhe është e prekshme dhe nuk po kursejnë nga vetja që dijet që kanë fituar gjatë studimeve të tyre t’i përcjellin me përpikëri shumë të madhe te gjeneratat e reja e në veçanti tek këta djem edhe vajza që sot janë para nesh dhe mund të them se janë begatia dhe garanca e së ardhmes së Rahovecit por edhe më gjerë”.

Ai po ashtu foli përkitazi me rëndësinë e mësimit të Kuranit dhe të hadithit të Muhamedit a.s. si dhe për rrezikun nga besëtytnitë dhe besimet e devijuara, duke potencuar rëndësinë e adhurimit dhe që sexhde t’i bëhet vetëm Allahut të madhërishëm .

Ai duke u kthyer në të kaluarën tha se duhet të shohim dhe të marrim shembull vetë Muhamed Mustafanë .

”Muhamedi a.s. e merrte shpalljen prej melekut Xhibril dhe urdhëronte që fjala e Tij të shkruhej, mësohej dhe vetëm të kujtojmë momentin kur ata e shkruanin në ndonjë dërrasë, lëkurë të ndonjë shtaze, pra nëpër vende që ishte vështirë për t’u shkruar, por me qëllimin e vetëm që fjala e Zotit të ruhet ashtu siç është më së miri. Ne sot kemi kushte jashtëzakonisht të mira për të mësuar dhe absorbuar në vetën tonë në zemrën dhe shpirtin tonë dhe teknologjia ka arritur shumë, kemi mundësi që të mësojmë lehtë gjithçka për Islamin, mësimin e Kuranit dhe sjelljet e ndryshme për një të ardhme më të mirë për ne që jetojmë këtu . Ky libër është gjithëpërfshirës i librave të mëhershëm dhe Allahu e mori përsipër që ta ruajë këtë duke thënë “Vërtet ne e zbritëm atë dhe ne do ta ruajmë atë”, pra Kurani është një libër dhe një mrekulli e të madhit Zot”- tha përveç të tjerash Myftiu Tërnava .

Ai në fund të fjalës së tij apeloi tek prindërit që dërgojnë fëmijët e tyre për të mësuar Kuranin dhe fjalën e Muhamedit a.s. duke nënvizuar se rrugë tjetër përveç Islamit nuk kemi ne si myslimanë .

Në fund nxënësit dhanë një program kulturo –artistik duke kënduar ilahi, kaside dhe pjesë nga Kurani.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Hytbeja e Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava, e mbajtur me rastin e festës së Fitër Bajramit

Familja Sot është ditë feste, ditë gëzimi, ditë mëshire e shpërblimi, ngase të gjitha adhu…