Prishtinë, 6 prill 2016
Më 6 prill, myftiu Naim ef. Tërnava priti në takim një delegacion të komunitetit egjiptian, në krye me z.Veton Berishën, kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), dhe njëherit deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, të shoqëruar nga Mustafë Myrtaj – zv/ministër në Ministrinë për Administratë Publike (MAP), Bashkim Krasniqi – kryetar i Partisë Liberale Egjiptiane, dega në Fushë Kosovë, dhe Salih Berisha – këshilltar i zv/ministrit Mustafë Myrtaj dhe anëtar i Kryesisë së PLE-së.
Qëllimi i takimit ishte thellimi i bashkëpunimit dhe koordinimi i veprimeve dhe mbështetja e ndërsjellë në mes të institucioneve të BIK-ut, përkatësisht shoqatës humanitare “Bereqeti” dhe komunitetit egjiptian të Kosovës. Myftiu Tërnava theksoi se BIK-u, me institucionet e veta, vazhdimisht kanë qenë dhe do të jenë në shërbim të popullatës edhe nëpërmjet shoqatës humanitare “Bereqeti”, dhe për këtë dëshmon fakti i ndihmës së vazhdueshme te familjet nevojtare në Kosovë dhe jashtë saj.