Kryesia e BI të Kosovës, ndonëse edhe më herët është deklaruar rreth shkuarjes së disa të rinjve tanë në Siri, megjithatë për hir të sqarimit dhe informimit të drejtë të opinionit dhe besimtarëve tanë, pas zhvillimeve të ditëve të fundit, dalim me,
DEKLARATË PËR OPINION
Nuk kemi të rinj për të rekrutuar njerëz të panjohur në emrin e fesë islame. Në Kosovë, Bashkësia Islame e Kosovës është institucioni i vetëm që jep fetva dhe udhëzime për besimtarët tanë dhe interpreton e sqaron parimet dhe mësimet fetare.
Duke u nisur nga kjo, edhe njëherë ftojmë besimtarët tanë, ftojmë prindërit tanë, ftojmë të rinjtë tanë dhe sqarojmë opinionin e gjerë, që mos të bien pre e organizimeve të dyshimta, e njerëzve pa adresë, dhe mos tu bashkohen kauzave që nuk dihet për çka angazhohen.
Shkuarja në Siri apo kudo qoftë pa lejen e prindit e familjes dhe në rrugë ilegale e klandestine është e ndaluar me fe.
Kryesia e BIK dënon edhe kërcënimin e një gjoja ushtrie në adresë të Policisë së Kosovës, të cilin e konsiderojmë sulm ndaj rendit kushtetues të vendit.
Kryesia e BIK përkrah fuqishëm punën e institucioneve kushtetuese të sigurisë së vendit, dhe në të njëjtën kohë kërkojmë nga opinioni që mos të paragjykojnë askënd derisa organet e drejtësisë nuk e japin fjalën e tyre.
Kryesia e BI të Kosovës