Prishtinë, më 25 shtator 2023

Sot, në Institutin e Hifzit në Medresenë e Madhe të Gjakovës është mbajtur ceremonia e diplomimit të 17 hafëzëve të rinj, të cilët kanë arritur që me sukses të mësojnë përmendsh tërë Kuranin fisnik. Në këtë ceremoni përveç shumë të pranishmëve mori pjesë edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, reisi i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, hafëz Shaqir ef. Fetahi, si dhe mysafiri special nga Turqia, Osman Nuri Topbash.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, vlerësoi lart punën dhe angazhimin që po bën Instituti i Hifzit në Gjakovë për nxjerrjen e hafëzëve të rinj, duke thënë se kjo ditë është tejet një ditë e lumtur, jo vetëm për hafëzët dhe familjet e tyre, por edhe për ne dhe gjithë vendin tonë.

Reisi i BFI-së së RMV-së, Shaqir ef. Fetahi, tha se ndjehet tejet i lumtur që po merr pjesë në një ceremoni të tillë ku po diplomojnë 17 hafëz të rinj. Ai përgëzoi Institutin e Hifzit për punën e bërë, ndërsa hafëzëve iu dëshiroi shëndet dhe suksese në jetë.

Ligjëratën kryesore në këtë ceremoni e mbajti Osman Nuri Topbash, i cili foli rreth vlerës dhe rëndësisë që ka mësimi përmendsh i Kuranit, duke përmendur kështu traditën e mësimit të Kuranit që nga Pejgamberi a.s. e deri te gjeneratat tona brez pas brezi.

Para kësaj ceremonie Myftiu Tërnava zhvilloi një takim me Osman Nuri Topbashin dhe me reisin Shaqir ef. Fetahin.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Listat e pagesave për projektin “Kurbani 2024” në Bashkësinë Islame të Kosovës

Bashkësisë Islame e Kosovës njofton të gjithë besimtarët se ka përfunduar me sukses për kë…