23.04.2015
Të lexuarit e Kuranit me nxënës – vijues të mësim besimit, në xhami, tashmë është bërë traditë në gati çdo xhami të Kosovës. Por fshati Bresanë i komunës së Dragashit, dallon nga të tjerët, jo vetëm për mënyrën e organizimit të ceremonisë së duasë së hatmes, por edhe me numrin jashtëzakonisht të madh të vijuesve të rregullt të mësim besimit.
Edhe këtë vit, delegacioni i Kryesisë së BIK, qëndroi në xhaminë e vjetër të fshatit Bresanë, ku u mirëpritën nga administrata e KBI Dragash dhe nga imami i kësaj xhamie Xhevat ef. Fetahu.

Pas një programi të pasur, të përgatitur nga nxënësit e kësaj xhamie, kryetari i Këshillit të BI në Dragash, Xhemal ef. Abdullahu u dëshiroi mirëseardhje delegacionit të Kryeisë së BIK: “Në emrin e KBI Dragash dhe në emrin tim personal, përshëndes përfaësuesit e Kryesisë së BIK, të kryesuar nga zëvendës kryeimami, Fatmir efendi Iljazi, dhe të gjithë të pranishmit tjerë. Duke lexuar Kuranin dhe duke e mbajtur në duart e tyre, keta fëmijë që janë para jush kanë dhënë një besatim se vazhdimisht gjatë tërë jetës së tyre do të lexojnë, do të dëgjojnë dhe do të mësojnë prej Kuranit, që me vetëdije dhe përgjegjësi më të madhe, të gjitha këshillat dhe udhëzimet e Kuranit t’i gjallërojnë në jetët e tyre, dhe të thërrasin njerëzit në punë të mira dhe largim nga të ligat”.
Në vazhdim, imami i kësaj xhamie, Xhevat ef. Fetahu, dha një pasqyrë  të përgjithshme të mënyrës së zhvillimit të mësim besimit në xhaminë e tij. Ai ndër të tjera tha:”Nxënësit që këni para vetes janë nxënës të fshatrave Bresanë e Kuklibeg që kanë bërë hatme Kuranin gjatë vitit 2014/2015. Janë dy grupe të cilat kanë bërë hatmen të pavarura nga njëra tjetra. Grupi i parë që bëjnë hatme për herë të parë përbëhet nga 25 nxënës, dhe grupi i dytë nga 28 nxënës, prej tyre 21 për herë të dytë, 6 për herë të tretë dhe një për herë të katërt”.
Në emër të Kryesisë së BIK, të pranishmëve iu drejtua me përshëndetje dhe fjalë rasti, Fatmir ef. Ijazi – zëvendës kryeimam i Bashkësisë Islame të Kosovës. Ai u shpreh: “Të nderuar të pranishëm, më lejoni që në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, t’ju përcjellë përshëndetjet më të përzemërta duke e lutur Zotin Fuqiplotë që evenimente të tilla të organizohen sa më shpesh në trevat tona. Këto fytyra të ndritura të nxënësve, bijve dhe bijave tona, dhe pamja madhështore që na u ekspozua me programin e përgatitur enkas për ne, pashmangshëm na bëri që të emocionohemi, të përjetojmë kënaqësi shpirtërore dhe t’iu marrim lakmi prindërve të tyre për edukatën fetare dhënë këtyre fëmijëve.
E gjithë kjo madhështi erdhi nga fjala e Zotit xh.sh. – Kurani famëlartë, që është edhe arsyeja e mbledhjes sonë sot këtu në këtë shtëpi të Zotit. Ky Kuran, që si mëshirë e të Madhit Allah, zbriti si udhërrëfyes për ata që e besojnë atë, dallues i së mirës nga e liga, i dritës nga errësira, bëri që zemrat tona, jo vetëm sot, por në vazhdimësi të jenë të qetësuara, të mëshirshme, të pastërta e të dëlira, të ndritshme deri në ditën e Kijametit.
Secili që fjalën e Allahut e lartëson, qoftë individ, shoqëri apo popull, Allahu do ta lartësojë atë. Me leximin e tij, njeriu arrin në kategorinë dhe gradën e engjëjve të Zotit. Në të, përveç adhurimit ndaj Zotit, gjejmë këshillën, shërimin për zemrat tona, udhëzimin dhe mëshirën për besimtarët, ashtu siq Allahu e përmend në shumë prej verseteve kuranore. Kurani udhëzon në atë që është më se e vërteta, më e qëndrueshmja, më e drejta dhe më e pastërta.
Edhe me gojën e Pejgamberit a.s. lavdërohen ata që jetën e tyre e udhëheqin me fjalën e Zotit xh.sh. “Sa herë që mblidhet një grup njerëzish në ndonjë shtëpi të Allahut për ta lexuar Librin e Allahut dhe për ta studiuar ndërmjet vete, zbret mbi ta qetësia, i mbulon mëshira, i rrethojnë melekët dhe i përmend Allahu para atyre që janë pranë Tij.
Ai i cili e lexon Kur’anin pa gabime (me shkathtësi, zotësi, pa vështirësi), ai do të arrij gradën e melaikeve të pastra dhe të nderuara”.
Sigurisht që një vend meritor për përcjelljen e porosive dhe mesazheve hyjnore që burojnë nga ky Kuran, e zënë njerëzit e ndershëm mbi fytyrën e tokës, ndër ta – imamët tanë. Prandaj, me këtë rast uroj dhe përgëzoj në radhë të parë administratën e Këshillit të BI në Dragash, bashkë me stafin e imamëve të nderuar, për gjithë angazhimet dhe kontributin e tyre në ngritjen e fjalës së Allahut, në veçanti përgëzoj imamin e xhamisë së fshatit Bresanë, Xhevat ef. Fetahun, për mundin që ka dhënë dhe po jep në vazhdimësi, duke bërë që ky Kuran të jetë I pranishëm çdoherë në ndejat dhe tubimet tona. Amanetin e prindërve, marrë mbi supet e tij, imami e dërgoi në vend me sukses.
Në fund, dëshiroj të përgëzoj nxënësit dhe prindërit e tyre. Nga thellësia e zemrës u uroj dhe u them se, me zhvillim të mësim besimit në xhami po i jepni domethënie të plotë këtyre shtëpive të Zotit, xhamive. Allahu ju ndriçoftë zemrat tuaja dhe na bëftë Kuranin shoqëruesin tonë më të mirë në ahiret ashtu siç e kishim në këtë botë, argument dhe dëshmi për ne e jo kundër nesh, ndërmjetës në ditën e Gjykimit dhe pengesë nga zjarri. O Allah, na mundëso që në vazhdimësi të punojmë me porositë e Kuranit dhe fjalëve të të dërguarit Tënd, drejt një ardhmërie më të sigurt të vendit tonë”.
Në fund, për të gjithë vijuesit e mësim besimit dhe atyre që e kishin përfunduar së lexuari Kuranin, u shpërndanë certifikata përkatëse dhe dhurata modeste nga Kryesia e BIK. Në shoqërim të zëvendës kryeimamit Iljazi, ishte edhe Fitim Gashi, drejtor i Departamentit të të Rinjve  dhe Fitim Flugaj, drejtor i shoqatës “Bereqeti” në kuadër të Kryesisë së BIK, i cili edhe bëri duanë e hatmes.{gallery}bresanhtm{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Filloi viti i ri akademik në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë

Prishtinë, më 2 tetor 2024 Sot, me një ceremoni solemne ka filluar viti i ri akademik në F…