Prishtinë, 4 maj 2020
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës sot ka pranuar një donacion të pajisjeve mbrojtëse për pastrimin e kufomave nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq Përveç pajisjeve mbrojtëse, pjesë e këtij donacioni janë edhe posterët që kanë për qëllim vetëdijesimin për mbajtjen e pastërtisë gjatë kryerjes së këtyre aktiviteteve. Z. Rrahim Beqiri nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, me këtë rast u prit nga këshilltari i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, z. Vedat Sahiti.
Z. Sahiti me këtë rast u shpreh falënderues ndaj Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, i cili edhe në të kaluarën, por edhe tash po shpreh interesim për t’i dalë në ndihmë Bashkësisë Islame të Kosovës. Donacioni i ardhur sot u vlerësua lart nga z. Sahiti, i cili u shpreh se këto pajisje do të jenë të domosdoshme për tërë pjesëtarët e personelit të shërbimeve fetare të Bashkësisë Islame të Kosovës, të cilët mund të kenë kontakt me persona të infektuar me COVID-19.
Në anën tjetër, z. Rrahim Beqiri nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, e falënderoi Bashkësinë Islame të Kosovës, hoxhallarët dhe tërë personelin e Bashkësisë Islame të Kosovës për punën që kanë bërë dhe që po vazhdojnë të bëjnë në lehtësimin e situatës së krijuar nga COVID-19 në Kosovë si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me Komitetin Ndërkombëtar te Kryqit të Kuq deri tani.
Z. Beqiri u interesua edhe për gjendjen shëndetësore të imamëve dhe të stafit të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe tha se mbështetja psikologjike e morale që imamët ua kanë ofruar qytetarëve të Kosovës përmes video mesazheve të tyre gjatë kësaj kohe të pandemisë ka qenë e çmueshme.