Prishtinë, 13 maj 2021

Si tradicionalisht, pas përfundimit të muajit Ramazan, më 13 maj 2021, në të gjitha xhamitë e Republikës së Kosovës, si në tërë botën ku jetojnë myslimanët, me gëzim e hare u kremtua përfundimi i muajit të agjërimit – Ramazani sherif, duke e falur namazin e Fitër-Bajramit. Nën respektimin e protokollit të pandemisë COVID-19 manifestimi qendror kushtuar festës së Fitër-Bajramit për Kosovë u mbajt në xhaminë “Sulltan Mehmet – Fatih” në Prishtinë ku numër i madh i qytetarëve kanë kryer këtë ritual fetar, kurse brenda objektit të xhamisë është kërkuar vazhdimisht respektimi i distancës. Bazuar në udhëzimet e Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës duke pasur parasysh se ndodhemi në situatën e pandemisë, namazi i sabahut është falur në shtëpi.

Namazit të Fitër-Bajramit i priu kryemami i Kosovës Vedat ef. Sahiti ndërsa hytben e Bajramit e mbajti kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, i cili edhe njëherë iu drejtua opinionit të gjerë me mesazhin për këtë festë, duke nënvizuar se ne sot po shënojmë festën e Fitër-Bajramit e cila në vete përmban përkushtimin ndaj Zotit të cilin besimtarët me bindje e përkushtim e dëshmuan gjatë tërë muajit të bekuar Ramazani.

“Muaji Ramazan na mbajti të bashkuar në ibadete dhe mirësi, namaze, iftare e syfyr, në zekat e sadaka, si dhe në solidaritet e bamirësi e mirëkuptim. Sot kemi festë që na bashkon me familje dhe më të dashurit tanë, fqinjët dhe farefisin tonë. Kjo festë për besimtarët vije si një freski që gëzon dhe shëron shpirtin e besimtarëve ngroh fëmijët e familjeve tona, prindërit tanë dhe tërë besimtarët myslimanë anekënd botës. Feja islame angazhohet në formimin e një shoqërie të shëndoshë e humane. Sot kemi festë që na bashkon me miq e farefis.” Festa e Fitër-Bajramit kultivon në formën më të mirë ndjesinë e mirëkuptimit, tolerancës, harmonisë respektit dhe bujarisë, vlera këto që fisnikërojnë individin dhe shoqërinë. Kjo festë madhore parqet një nga momentet që shërbejnë për të njohur vetën, për të mësuar drejt misionin tonë dhe për të ruajtur ekuilibrin mes shpirtërores përballë materiales”- ka nënvizuar Myftiu Tërnava 

Ai më tej tha se edhe në këtë Ramazan sikurse në Ramazanin e vitit të kaluar rrjedhimisht edhe këtë Bajram po e presim të përballur me pandeminë Covid-19 e cila ka shkaktuar pasoja të mëdha në të gjitha rrafshet. Në këtë ditë feste kujtojmë me rahmet të gjithë ata që kaluan në ahiret duke lutur krijuesin që t’i marr në mëshirën e Tij ndërsa të infektuarit të gjejnë shërim sa më parë.

Ai duke përfunduar mesazhin e Fitër-Bajramit tha se ne sot kemi festë dhe bashkërisht po e shijojmë festën e madhe të Fitër-Bajramit, por duhet të kemi kujdes që të jemi të vëmendshëm se virusi ende është në mesin tonë, andej apeloj te ju që ta ruani shëndetin tuaj dhe ta ruani njeri-tjetrin. Po ashtu ju ftoj që të keni kujdes me vizitat tradicionale të kësaj feste. Ne do të festojmë më familjarët, të dashurit dhe miqtë tanë  të ruajmë karakterin e festës do të jemi pranë njëri-tjetrit por do të jemi kujdes maksimal për shëndetin publik sepse rreziku nga pandemia ende nuk ka kaluar.

Në fund ai u lut që Allahu t’i ketë pranuar agjërimin lutjet ibadetet e punët tona të mira të gjithëve iu uroj festën e Fitër-Bajramit, duke iu dëshiruar shëndet e mbarësi kudo që jeni, ju përgëzoj dhe iu uroj të gjithëve festën e Fitër-Bajramit.

Duke marrë parasysh gjendjen pandemike në të cilën gjendemi, si dhe në kuadër të marrjes së masave preventive për mos përshkallëzim të mëtutjeshëm të situatës, Kryesia e Bashkësisë Islame të Republikës të Kosovës, nuk organizoi pritje për nder te festës së Fitër-Bajramit në Kryesinë e BIK-ut dhe as në selitë e këshillave lokal. 

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…