4 gusht 2019
Nën këndimin e ajeteve kuranore, në mënyrë solemne, u bë përurimi i rindërtimit të xhamisë në fshatin Llokovicë të Prizrenit. Në këtë ngjarje morën pjesë zv.myftiu i Republikës së Kosovës, Reshat ef. Mexhiti, kryeimiami i Prizrenit, Orhan ef. Bislimaj, hoxhallarë, si dhe shumë qytetarë të tjerë.
Në emër të Kryesisë së Bashkësisë Islame të Kosovës, para të pranishmëve, një fjalë përshëndetëse e mbajti zv.myftiu, Reshat ef. Mexhiti, i cili vlerësoi lart rindërtimin e xhamisë, duke ftuar xhematin që ta zbukurojnë këtë xhami me prezencën e tyre në namazet ditore. Me një urim të veçantë, zv.myftiu Reshat ef. Mexhiti, e uroi dhe e përgëzoi bamirësin Alija Duraki, i cili e ka financuar rindërtimin e kësaj xhamie që nga fillimi e deri në fund.
“Bamirësit e tillë bartin epitetin e njerëzve të veçantë në islam. Falë tyre, feja islame ka pasur gjithmonë rrugëtim të sigurt dhe prezencë në shoqëri, pavarësisht sfidave dhe pengesave,” – tha zv.myftiu Mexhiti.
Të pranishmit me një fjalë rasti i përshëndetën edhe kryeimami i Prizrenit, Orhan ef. Bislimaj, imami i xhamisë, Azem ef. Velia, imami i xhematit Neshatel të Zvicrës, hfz. Mustafa Mehiq, si dhe kryetari i Mexhlisit të Bashkësisë Islame Rijeka në Kroaci, Samir ef. Ilijazi.
Në fund të programit, një fjalë përshëndetëse e mbajti edhe donatori i rindërtimit të kësaj xhamie, Alija Duraki, i cili falënderoi Zotin e Madhëruar që ia mundësoi ta kryejë këtë vepër.
Xhamia e fshatit Llokovicë daton që nga viti 1875. Për shkak të vjetërsisë, e sidomos edhe për shkak të bombardimeve të luftës së fundit, xhamia ka pësuar një çarje, duke u bërë një vend i pasigurt. Mirëpo falë këtij rindërtimi, xhamia tashmë ka një hapësirë të mjaftueshme për t’i shërbyer komunitetit për nevojat e tyre fetare, edukative e arsimore.