Prishtinë, 13.06.2013
Në takimin që Kryeimami i Kosovës, Sabri ef. Bajgora zhvilloi me kryeimamët e Këshillave të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në prag të muajit të shenjtë të Ramazanit, u diskutua dhe u analizua gatishmëria dhe mobilizimi i imamëve të mbarë territorit të Kosovës në pritjen sa më madhështore të këtij muaji të shenjtë, ashtu sikur u shkëmbyen informacione për organizimet dhe aktivitetet që do të mbahen në çdo komunë të Kosovës, gjatë gjithë muajit të Ramazanit.
Kryeimami Bajgora, edhe njëherë shprehu gatishmërinë e lartë që t’u qëndrojë kryeimamëve afër, si në periudhën paraprake të Ramazanit, ashtu edhe gjatë tij.
Nn këtë takim ishin të pranishëm edhe z. Baki Svirca dhe z. Bahri ef. Simnica.
Z. Svirca, hulumtues pranë Institutit të Hulumtimit Për Krimet e Luftës së fundit në Kosovë, kërkoi thellim të bashkëpunimit në mes të dy institucioneve, duke përfshirë këtu edhe Këshillat e BIK, që të paraqesin fakte të reja për gjithë shkatërrimin e infrastrukturës së Bashkësisë Islame, gjegjësisht të objekteve fetare, bibliotekave islame, literaturës islame, dorëshkrimeve, arkivave me dokumente të ndryshme, inventarit që llogaritet trashëgimi dhe vlerë kulturore etj.
Edhe drejtori i Medresesë Alaudin në Prishtinë, Bahri ef. Simnica, duke elaboruar programin mësimor dhe shtëpiak të institucionit arsimor që ai drejton, rekomandoi kryeimamët që të angazhohen më tepër në promovimin e vlerave të Medresesë, nga bankat e së cilës kishin dalur të gjithë imamët e vendit tonë, e më gjerë.
Në përfundim të këtij takimi, Kryeimami Bajgora, shprehu dëshirën që personalisht të zhvillojë takime me të gjithë imamët e komunave të Kosovës, duke i vizituar ata para ardhjes së muajit të shenjtë. Edhe kryeimamët e Këshillave të BIK, nga ky takim u ndanë të kënaqur, duke marrë vendime dhe hapa konkret rreth pritjes sa më të denjë të këtij muaji të shenjtë.