Prishtinë, 28.02.2013
Këshilli i Bashkësisë Islame të Istogut i bëri një ftesë Myftiut Naim ef. Tërnava, që t’jetë mysafir nderi në mbledhjen e tyre të rregullt me anëtarët e Këshillit, dhe të vëzhgoj për së afërmi punën dhe veprimtarinë e tyre, duke e njoftuar në hollësi për të arriturat e imamëve dhe për sfidat me të cilët po ballafaqohen ata gjatë kryerjes së detyrave dhe obligimeve të tyre. Myftiu, me kënaqësi e pranoi ftesën, dhe realisht, kjo nuk ishte hera e parë që Myftiu merrte pjesë në mbledhje të Këshillave të Bashkësisë Islame anembanë territorit të Kosovës. Në ambientet e Këshillit, Myftiu u prit nga kryetari Muhamet Lipa, bashkë me administratën dhe anëtarët e Këshillit, me ç’rast i dëshiruan mirëseardhje Myftiut dhe përshëndetën prezencën e tij. Kryetari Lipa shprehu konsideratën e tij më të lartë dhe falënderoi Myftiun për punën e tij të palodhshme, në mbrojtje të islamit dhe interesave, dhe të drejtave të myslimanëve të Republikës së Kosovës, me theks të veçantë, për bashkëpunimin dhe ndihmën morale kundrejt Këshillit të Bashkësisë Islame në Istog.

Myftiu i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij (Nexhmedin Hoxha, Ahmet Sadriu dhe Fatmir Iljazi) ndoqi me vëmendje rrjedhën e mbledhjes dhe diskutimet e anëtarëve,  për të marrë fjalën në përfundim të kësaj mbledhjeje:
“Feja ka zënë fill tek ne tash e gjashtëqind vite më parë. Gjenerata të ndryshme kanë qenë bartëse të denjë të kësaj feje mbi supet e tyre, me përkushtim të pashembullt, dhe ne shpresojmë të jemi vazhdimësi e tyre. Ju jeni në dijeni për mënyrën e funksionimit të sistemit monist në raport me fenë dhe bashkësinë islame. Nuk kanë lënë metodë pa provuar për t’i nxjerrë njerëzit nga feja, janë mbyllë e janë rrënuar xhami e objekte tjera islame. Njëjtë ndodhi edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë kur popullata u dëbua, e u rrënuan mbi 200 xhami. Qëllimi i dy periudhave ishte i njëjtë: zhbërja dhe çrrënjosja e islamit nga kjo tokë dhe nga zemrat tona. Por JO. Ne arritëm, që bashkërisht t’i mbijetojmë t’gjithë kësaj katrahure, falë ndihmës së Allahut e pastaj Medresesë, nëpër bankat e së cilës kemi kaluar të gjithë ne pa përjashtim. Aty filluam rrugëtimin tonë në ngritjen e fjalës së Zotit, për t’mos u ndalur gjer në vdekje. Vite e vite më parë, mbaj mend kur në Istog vepronte vetëm një imam, i vetëm por entuziast e energjik. Sot, ja ku jemi, ja ku kemi arrit. Para vetes shoh djem të rinj, më përgatitje të lartë profesionale, që punojnë pa përtesë, angazhohen dhe japin kontributin e tyre maksimal në dobi të vendit të tyre, të shoqërisë dhe rrethit ku jetojnë. Aty ku punohet, aty janë evidente edhe rezultatet dhe padyshim që lulëzojnë sukseset. Vetëm bashkërisht mund të ecim përpara. Jini si një trup që duhet të punoni të bashkuar, në mënyrë vetëmohuese, për ta rritur qëllimin e përbashkët. Puna dhe aktiviteti në grup ju jep mundësi të bëni gjëra që nuk mund t’i bëni vet. Ju duhet të ndani dhe të ndjekni vizion të përbashkët, e të punoni me marrëveshje në mes veti. Kështu na mëson Islami, ne nuk mundemi dhe nuk dimë ndryshe. Kryetari i Këshillit tuaj, i vetëm nuk mundet. As ky, e askush tjetër. Ndihmojeni në kryerjen e detyrave dhe obligimeve të përbashkëta që keni karshi këtij populli i cili pret nga ju. Ndihmohuni në mes vete për hir të Zotit, ndihma e Zotit do të jetë prezentë në mesin tuaj. Vetëm atëherë do të ndjeheni të begatë dhe do t’ketë bereqet në punë tuaj”.
Myftiu Tërnava më herët prezantoi edhe në mbledhje e rregullt të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…