Prishtinë, 31 korrik 2019
Sot në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë është nisur aeroplani i parë me besimtarë nga Kosova drejt Mekës.
Familjarë dhe të afërm dolën në aeroportin “Adem Jashari” në Prishtinë, për të përcjellë sot 216 haxhi të rinj drejt Qabesë. Bashkësia Islame e Republikës së Kosovës ka kryer të gjitha përgatitjet e duhura për udhëtimin e besimtarëve drejt vendeve të shenjta, Mekës dhe Medinës.Kryetari i BIRK-ut,Myftiu Naim ef.Tërnava, i cili është udhëheqës i haxhive, duke u nisur në aeroport, tha se të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë dhe gjithçka është gati për të kryer këtë ritual.“Bashkësia Islame e Kosovës sikur edhe viteve të tjera ka bërë të gjitha përgatitjet për udhëtimin në vendet e shenjta. Besimtarët po realizojnë një nga ëndrrat e tyre që kanë pasur në vazhdimësi. E them me përgjegjësi të plotë se çdo përgatitje është bërë me rregull, kësaj here edhe unë do të jem pjesë, do të kalojmë këto 24 ditë së bashku. Do të lusim Zotin për pranim të ibadeteve, për mirëqenie më të mirë për vendin tonë dhe do të njihemi me delegacione nga bota mbarë”, tha Myftiu Tërnava.
Elez Osmani, që po udhëtonte drejt vendeve të shenjta, tha se ndjehet i lumtur që iu mundësua shkuarja në haxh.”Në këto momente çdo njeri do të ndihej i lumtur po e kryejmë një përgjegjësi për mua ky vit është shumë me rëndësi se shkoj me haxh nga Kosova. Kam ardh nga New Yorku. Ky çmim ndoshta për gjepin e qytetarit të Kosovës në esencë mundë të doket paksa i lartë”, tha ai.
Nën organizimin e Kryesisë së BIRK-ut për vende të shenjta për të kryer haxhin sivjet do të udhëtojnë 1.080 besimtarë, në mesin e të cilëve 370 janë gra.