Prishtinë, 4 korrik 2019
Organizuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame të Prishtinës, në ambientet e medresesë së mesme “Alaudin” të Prishtinës, ka filluar mësim-besimi për fëmijët e kësaj komune.
Kryeimami i Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës, Burhanudin ef. Hashani, deklaroi se kjo nismë për mësim-besim është një traditë disa vjeçare që po vazhdohet edhe në ditët e sotme. “Fillimisht ne si Këshill i Prishtinës, mësim-besimin e kemi filluar në vitin 1999 në shkollën fillore “Emin Duraku”, ku ka pasur një interesim mjaft të madh të nxënësve, e më pas kemi vazhduar që nga viti 2000 në Medresenë “Alaudin”. Mësimi këtu tashmë është bërë një traditë 20 vjeçare, për çka i falënderojmë prindërit për dërgimin e fëmijëve të tyre, duke na i lënë kështu në amanet për edukimin fetar. Vitin e kaluar kemi pasur një interesim mjaft të madh të fëmijëve, ka qenë numri përafërsisht 500 nxënës, ndërsa këtë vit numri është diku rreth 350, mirëpo edhe pse tashmë kemi filluar, ende ka interesim për regjistrim të kursit. Lëndët që mësohen këtu janë të ndryshme, duke filluar nga Kurani, suret, duatë, jeta e Muhamedit a.s., fikhu, edukata fetare-qytetare, etj. Në emër të Këshillit të Prishtinës edhe njëherë e falënderoj drejtorinë e Medresesë për ofrimin e mundësive që ne ta zhvillojmë këtë kurs,” – u shpreh kryeimami Hashani.
Imami Sami Fetahu, mësues i lëndës së Kuranit në këtë kurs, u shpreh se këtë vit ka një interesim të madh për të mësuar dhe për të ndjekur këtë kurs. “Ne në lëndën e Kuranit mundohemi që nxënësve t’ua mësojmë suret e shkurta, apo 10 suret e fundit të Kuranit, e më pas vazhdojmë me mësimin e shkronjave të Kuranit. Meqenëse niveli i nxënësve nuk është i njëjtë, ka prej tyre që tashmë suret i dinë, e me ta vazhdojmë me mësimin e shkronjave të Kuranit, apo edhe me mësimin e disa rregullave të texhvidit.”
Ndër lëndët që po mësohen në këtë kurs është edhe lënda e edukatës fetare-qytetare, për të cilën mësuesja Agnesa Hasani tha se është një lëndë që po zgjon mjaft interesim te nxënësit. “…kjo lëndë në vete ngërthen mjaft tema të rëndësishme, siç është respekti ndaj prindërve, ndaj të moshuarve, ndaj të afërmve etj., pastaj sjellja në rrugë, në shkollë, në shoqëri, pra me një fjalë janë rregulla dhe norma që na nevojiten shumë neve si shoqëri. Nga praktika dhe mësimet e viteve të kaluara, vërehet që nxënësit që kanë vijuar edhe vitin e kaluar këtë kurs, tashmë këto rregulla vetëm se janë duke i zbatuar dhe praktikuar ato.”
Ensar Lutaj, një nga nxënësit e këtij kursi, tregoi se është shumë i kënaqur që është pjesë e këtij kursi, për të cilin veçoi lëndën e edukatës fetare dhe mësimet që ai po i merr në këtë lëndë, siç është sjellja me familjarët, prindërit, shoqërinë, si dhe për respektin që duhet t’ua bëjmë këtyre shtresave.
Drejtori i Medresesë “Alaudin”, Jakup ef. Çunaku, pohoi se Medreseja edhe këtë verë, e sot e gjithmonë është në shërbim të arsimimit dhe të edukimit. “Kujtojmë vitet e 90-ta, kur Medreseja hapi dyert për organizimin e jetës politike dhe shkencore, por edhe tash është duke luajtur një rol të rëndësishëm për mësimin dhe edukimin e gjeneratave të reja. Medreseja ka ofruar objektin në shërbim të komunitetit, përkatësisht të Këshillit të Prishtinës, duke filluar që nga klasat, sallat e sportit, ofrimin e një ushqimi të lehtë nga kompani të ndryshme etj. E rëndësishme është që këta fëmijë nga ky kurs të dalin më të edukuar, më të arsimuar dhe të jenë më afër rregullave shoqërore. Në këtë kurs do të kemi mysafirë të ndryshëm, siç janë psikologët, mjekët, policët, zjarrfikësit, etj.,” – tha drejtori Çunaku.