Prishtinë, 1 korrik 2019

Kryesia e Bashkësisë Islame e Kosovës ka organizuar, në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë,  konferencën “Të gjithë së bashku me një zë”. Në këtë konferencë morën pjesë Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef.Tërnava, presidenti i vendit Hashim Thaçi, Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, pastor Femi Cakolli nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës, Votim Demiri nga Bashkësia Hebraike e Kosovës, znj., Natalia Apostolova, Atifete Jahjaga, ish-presidentw e Kosovës, Jan Braathu, shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, z. Ruairi O’Connell ambassador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë,, znj. Ulrika Richardon UN Kosovo Team DC, z. Robert Pulver, zv/ PSSP UNMIK, znj. Vlora Citaku ambasadore e Kosovës në SHBA.

Myftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava ka kërkuar që të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës të mos paragjykohen.  Myftiu  Tërnava tha se shoqëria kosovare po përballet edhe me një sfidë, me atë të luftimit të stigmatizimit të viktimave të dhunës seksuale. Me këtë kategori nuk janë marrë mjaftueshëm shteti, rrethi e familja. Bazuar në parimet islame, dhuna seksuale është e ndaluar, me kodin e luftës si dhe me normat e të drejtat ndërkombëtare. “Këto veprime të kryera nga forcat ushtarake serbe ndaj civilëve të pambrojtur, nuk ka dyshim se janë vepra të dënueshme, të shëmtuara, të urryera e të gjykuara nga Zoti, nga të dërguarit e Tij, nga njerëzit fisnikë e të edukuar, si dhe nga shoqëritë demokratike. Prandaj si të tilla janë dhe duhet të kategorizohen në kuadër të krimeve të luftës… Konsideroj se roli i bashkësive fetare për shkak të natyrës së plagës është primar dhe i domosdoshëm, askush sikur feja nuk mund të trajtojë plagën në bazë morale”,- tha Myftiu Tërnava

Konsideroj se roli i bashkësive fetare, për shkak të natyrës së plagës, është primar dhe i domosdoshëm. Askush sikur feja nuk mund ta trajtojë një plagë me bazë morale, andaj, më lejoni të prezantoj para jush në mënyrë të përmbledhur konceptin islam për viktimat e dhunës seksuale. Fillimisht, dua të shpjegoj diçka doktrinare sa i përket mëkatit. Njeriu jep përgjegjësi për veprën e kryer vetëm në rastet kur kjo e fundit kryhet me vullnet dhe vetëdije. Pejgamberi  i fundit Muhammedi  a.s., ka thënë: “Zoti nuk merr në përgjegjësi ithtarët e mi për veprat që bëjnë gabimisht, nga harresa apo imponimi.” (Sahih Ibn Maxheh, nr. 1677). Kështu sipas fesë sonë Islame  nëse një veprim bëhet me imponim , nuk konsiderohet mëkat. Të  dhunuarit sipas fesë Islame  kanë tretmanin e të ndershmëve. Në Kuranin Fisnik, përkatësisht në kaptinën Nur, verseti 33, Zoti i Madhëruar thotë:  “…E kush i detyron me dhunë të bëjnë atë, Allahu i fal ato pas atij detyrimi. Allahu fal dhe është Mëshirues.” En-Nur:33..”

Atëherë të nderuara nëna, vajza  e motra: Ju porosis të dëgjoni se çfarë thotë Zoti për ju e jo çfarë  ju thonë ata që ju fajësojnë  pa të drejtë. Për shkak të rrethanave nëpër të cilat ka kaluar vendi ynë, pastaj për shkak të mentalitetit në të cilin jetojmë, me këtë kategori të viktimave, ne si shoqëri nuk jemi marrë sa dhe si duhet. Ndonëse kjo kategori e viktimave të luftës duhet të trajtohet me prioritet e me përgjegjësi e ndërgjegje, duke u nisur që nga familja e tyre, nga bashkëshorti, fëmijët, rrethi e deri tek institucionet e vendit tonë. Dihet që të mbijetuarit e dhunës seksuale kanë përjetuar një tmerr të vërtetë, traumë e ankth që i shoqëron ata edhe sot e kësaj dite, por duhet ritheksuar fuqishëm se ato apo ata nuk bartin asnjë gjynah për atë që u ka ndodhur, nuk kanë asnjë përgjegjësi apo ndjesi faji – ato apo ata thjesht janë viktima si çdo viktimë tjetër e luftës, por në këtë rast dëmi është më i madh, sepse dhunuesit kanë dashur edhe thyerjen morale e shpirtërore të tyre.Për të mos i arritur ato efekte që kanë pasur për synim dhunuesit, jemi të obliguar, e kemi obligim nga Zoti, e kemi detyrim shtetëror e nacional që këtë kategori ta rehabilitojmë shpirtërisht e moralisht, t’i rehabilitojmë në familje e në rrethe, t’i integrojmë në institucione e në shoqëri, sepse ato mbi veten e tyre nuk mbajnë asnjë fije faji, sepse ato nuk e kanë zgjedhur këtë dhe as që e kanë dëshiruar, ato thjeshtë janë viktima të pamundësisë sonë për t’i mbrojtur e për t’i ruajtur nga personat dhe pushtuesi dhunues.Prandaj, për të arritur këtë mendoj që së pari duhet sensibilizuar dhe ngritur vetëdijen shoqërore se bijat, motrat dhe nënat tona të cilat janë viktima të kësaj dhune, nuk janë me faj dhe s’kemi asnjë të drejtë që të ngremë gishtin në drejtim të tyre.

 Presidenti i vendit, z.Hashim Thaçi tha se institucionet nuk kanë bërë mjaftueshëm për të mbijetuarit e dhunës seksuale  dhe të gjithë duhet të kërkojnë drejtësi dhe të inkurajohen viktimat që të ballafaqohen me të kaluarën. “Me një zë të gjithë ne duhet të kërkojmë përkrahje prej tërë shoqërisë, që së bashku me të mbijetuarat e dhunës seksuale, të lëmë pas kohën e kaluar të hidhur dhe të ndërtojmë një të ardhme më të mirë. Të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë nevojë për më shumë përkrahje institucionale dhe shoqërore, kanë nevojë për një përkrahje më të fuqishme dhe për më shumë mirëkuptim brenda familjes, komunitetit dhe shoqërisë sonë. Fajësia e kësaj padrejtësie të rëndë, ende vazhdon të peshoj, ende pas 20 vitesh mbi vet viktimat e dhunës seksuale”, tha presidenti Thaçi.

Don Lush Gjergji nga Ipeshkvia e Kosovës, duke marr fjalën theksoi se  edhe si bashkësi fetare, bashkë me shoqërinë dhe shtetin, janë vonuar në përkrahjen e tyre.“ Unë shpresoj dhe uroj që kjo tematikë edhe më tepër të na ndihmojë të takohemi dhe bashkohemi, që vëllazërisht t’i trajtojmë me kirurgjinë e shpirtit dhe zemrës. Dhe çështja e parë e shumë e rëndësishme është pjesëmarrja jonë. Ndër dhunën që e pësuan bijat tona ishin dhe jemi edhe ne, jemi pjesë e tyre dhe janë pjesë e jona”, tha ai.

Edhe Femi Cakolli nga Kisha Protestante Ungjillore e Kosovës duke marr fjalën nënvizoi se ne si shoqëri kemi bërë  pak për këto viktima. Këtyre të mbijetuarve të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, tha se duhet t’iu kthehet dinjiteti.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se edhe pas formimit të komisionit qeveritar për njohjen ligjore të viktimave të dhunës seksuale, këto të fundit ende po përballen me shumë sfida.

“Këshilli Kombëtar për të mbijetuarat e dhunës seksuale nxiti po ashtu themelimin e një komisioni qeveritar për verifikimin e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Përderisa puna e këtij komisioni ende vazhdon dhe ne përballemi me shumë sfida që vazhdimisht po pengojmë punën tonë. Për fat të keq ka ende individ dhe grupe të caktuara që nuk duanë që e vërteta të dal në shesh. Për fat të keq ka ende individ dhe grupe të caktuara që përmes veprimeve të ndryshme minojnë përpjekjet tona për të ofruar drejtësi për ato”, tha Jahjaga

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka pasur fjalë të mira për komisionin. Ajo tha se BE i kushton vëmendje të madhe drejtësisë tranzicionale.

“Ne jemi të vetëdijshëm që është sfiduese dhe që ka pasur edhe vështirësi. Komisioni është duke bërë një punë të mirë dhe natyrisht nuk është e lehtë të bëhet një punë e tillë, megjithatë rëndësia e të pasurit një komision të tillë nuk duhet nënvlerësuar. Është një e arritur që tashmë, është vënë një shembull për vendet e tjera dhe është si model për reparimin e viktimave të dhunës seksuale”, tha Apostolova.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell tha se të gjithë meshkujt kur të kthehen në shtëpi të mendojnë se nënat e tyre janë një viktimë.“Unë kam një pyetje dhe sfidë për të gjithë, a jemi ne të gjithë si individë gati për të mbështetur viktimat, me thënë brenda familjes që nuk e di çfarë ka ndodhur, por nëse ky akt makabër ju ka ndodhur juve, ju keni mbështetje të plotë prej meje. Propozimi im si mashkull është për meshkujt këtu, është që të kthehen në shtëpi sonte me i thënë familjes nuk e di çfarë të ka ndodhur, por nëse ju ka ndodhur keni mbështetje”, tha ambasadori O’Conell.

Krejt në fund ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku tha se nga lufta ka dhimbje që shoqërohet me krenari e mall, por forma më e rëndë e dhimbjes është ajo që shoqërohet me përulje, përjashtim e stigmatizim. Ashtu siç kishin fatin, 20 mijë gra e burra nga Kosova, të cilët u dhunuan në luftën e fundit në Kosovë.

Në këtë konferencë me kumtesa u paraqitën Feride Rushiti, QKMRT, Kadire Tahiri, qendra Drenas, Mirlinda Sada, Medica Gjakova, Vasfije Krasniqi Goodman e mbijetuar e  dhunës, Nafi Krasniqi, familjar i të mbijetuares së dhunës, Minire Begaj, Komisioni qeveritar për verifikimin e statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale, Vaxhide Bunjaku nga departamenti i Gruas i BIK-ut, Valdete Idrizi, këshilltare e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

Në fund u bë deklaratë e përbashkët e krerëve të Bashkësive fetare në Kosovës në mbështetje të  të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

D E K L A R A T Ë

Ne, prijësit e bashkësive fetare të Kosovës, nëpërmjet kësaj deklarate, shprehim dhimbjen tonë për trishtimin dhe përbuzjen që kanë përjetuar të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Të mbështetur në doktrinën dhe mësimet tona fetare, e ndiejmë të nevojshme që gjithë së bashku të sqarojmë edhe një herë të mbijetuarit, familjet e tyre, dhe tërë shoqërinë, se: viktimat e dhunës seksuale, nuk bartin asnjë lloj përgjegjësie para Perëndisë që na ka krijuar dhe na ka dhanë jetën. Këndej, ato nuk duhet të ndiejnë asnjë lloj faji apo përgjegjësie për atë që u ka ndodhur dhe askush nga ne nuk ka të drejtë të shprehë kurrfarë dyshime ose gjykimi për ta.

Ne të gjithë, si pjesë e kësaj shoqërie dhe qytetarë të këtij vendi, sidomos ata që  këto viktima i përcjellin në përditshmërinë e jetës së tyre si familje, si bashkëshortë, si prindër, si bij e bija, kemi përgjegjësi që t’i ngushëllojmë me dhuntitë tona shpirtërore, t’i mbështesim me mundësitë tona njerëzore, po edhet’u sigurojmë përkrahje institucionale dhe profesionale. Në mënyrë që viktimat të arrijnë të shërojnë plagët e tyre, të mos bartin peshën e një faji që nuk u përket, por të ndiejnë dashurinë e secilit prej nesh.

Ne, prijësit e bashkësive fetare në Kosovë, nëpërmjet kësaj deklarate, përveçse shprehim qëndrimin tonë në mbështetje të të mbijetuarve të dhunës seksuale të ushtruar gjatë luftës së fundit në vendin tonë, njëkohësisht shprehim mbështetjen për të gjithë ata që individualisht, nëpërmjet organizatave të tyre, apo përfaqësimeve ligjvënëse angazhohen që këtyre viktimave t’iu njohin të drejtën që të kenë përkrahjen institucionale dhe ligjore. Po edhe ne, prijësit fetarë të të gjitha besimeve, zotohemi se nëpërmjet institucioneve tona dhe  besimtarëve tanë, do të bëjmë gjithë atë që mundemi për të ndihmuar këto viktima. Sidomos do jemi gjithnjë pranë nevojave të tyre shpirtërore.

Secili në mënyrën e vet, i lutemi Zotit, Krijuesit të përbashkët, i cili nuk kërkon asnjëlloj llogarie nga viktimat, por fal e shfajëson ato, që t’i bekojë, t’i ngushëllojë  dhe t’u rikthejë paqen e shpirtit dhe gëzimin e jetës.  Po ashtu i lutemi Zotit edhe për gjithë ne, që të mos na lërë të biem  në tundim për t’i përbuzur, por të na shndritë të gjithë që me dashurinë e zemrave tona t’i kurojmë plagët e tyre.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…