Ka përfunduar konferenca dyditore “Kontributi i prijësve myslimanë në formësimin e vetëdijes dhe identitetit kombëtar”, e organizuar nga bashkësitë islame shqiptare. Pas hapjes në Hotel Tirana International, konferenca vazhdoi me 7 sesionet shkencore në Universitetin Bedër.
Për dy ditë me radhë, 34 studiues, akademikë dhe pedagogë të shquar të katedrave të universiteteve më të njohura të trevave shqiptare kanë mbajtur referatet e tyre shkencore mbi rolin dhe kontributin e myslimanëve në këto 100 vjet shtet.
Në konferencë u konstatua përmes fakteve të pazbuluara më parë se roli i ulemave myslimanë ka qenë vendimtar në pavarësinë e kombit shqiptar dhe në mirëfunksionimin e shtetit dhe formësimin e identitetit dhe vetëdijes kombëtare.
Të dhënat e përftuara nga burime të ndryshme historike vërtetojnë qartësisht ekzistencën e tolerancës dhe të bashkëjetesës paqësore midis shqiptarëve të besimeve të ndryshme. Lëvizja Kombëtare Shqiptare për pavarësi dhe krijimi i shtetit shqiptar të pavarur, përbën një shembull mjaft domethënës të bashkëpunimit të sinqertë dhe pa asnjë paragjykim të intelektualëve dhe aktivistëve patriotë, të cilët, pavarësisht nga përkatësia e ndryshme fetare, dhanë një kontribut vendimtar për afirmimin politik e kulturor të kombit shqiptar. Solidariteti dhe toleranca fetare midis shqiptarëve u shfaqën me një qartësi të veçantë edhe në periudhat e mëvonshme. Pas shembjes së komunizmit në Shqipëri dhe rivendosjes së lirisë së besimit, në mbarë vendin u bënë përpjekje të mëdha për rikuperimin dhe gjallërimin e jetës fetare. Që në fillimet e këtij procesi u rishfaq në një mënyrë mbresëlënëse tradita e vyer e mirëkuptimit, tolerancës dhe bashkëpunimit vëllazëror të shqiptarëve të besimeve të ndryshme.
Periudha e Rilindjes Kombëtare, ajo e pavarësisë dhe e luftërave të ndryshme në mbrojtje të trojeve shqiptare, dëshmuan se ekzistenca e besimit fetar, jo vetëm që nuk u bë pengesë për përballimin e situatave të vështira të atyre kohërave, por u bë faktor i domosdoshëm për ruajtjen e pavarësisë dhe forcimin e shtetit, duke u vlerësuar se diversiteti fetar ka qenë dhe është një pasuri kombëtare, falë kjo e prijësve të shquar fetarë. Një realitet ky i cili herë pas here vlerësohet edhe nga opinioni ndërkombëtar.
Shqipëria përgjatë historisë së saj, ka qenë një shembull, se si njerëzit e fesë kanë ditur të zgjidhin saktë marrëdhëniet e besimit me kombin. Një mori dijetarësh shqiptarë të profilit fetar mysliman, kanë dhënë kontribut të çmuar në të gjitha fazat zhvillimore dhe format organizative të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Në këtë konference u trajtuan tema dhe nëntema mjaft të larmishme si:
Angazhimi i prijësve myslimanë në ngritjen e vetëdijes kombëtare;
Disa nga figurat më të shquara të prijësve myslimanë në shtetformim;
Komuniteti Mysliman, medresetë, etj.;
Kontributi i dijetarëve myslimanë në formësimin dhe forcimin e identitetit tonë kombëtar;
Kontributi i dijetarëve myslimanë në gjuhën dhe letërsinë shqipe; Lidhjet e filozofisë islame me atë kombëtare;
Kontributi i dijetarëve në formësimin e identitetit tonë kombëtar;
Kontributi i drejtuesve myslimanë në procesin e shtetformimit dhe kombformimit;
Kontributi i Klerit Mysliman Shqiptar në lëvrimin e gjuhës dhe letërsisë shqipe;
Kontributi i Klerit Mysliman Shqiptar në Rilindjen Kombëtare;
Kontributi i Klerit Mysliman Shqiptar në Shpalljen e Pavarësisë;
Kontributi i Klerit Mysliman Shqiptar për forcimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare;
Kontributi i personaliteteve të shquara islame në shpalljen e pavarësisë;
Kontributi i prijësve myslimanë në Lidhjen e Prizrenit;
Kontributi i prijësve myslimanë në mbrojtje të hapësirës etnike shqiptare;
Krijimi dhe themelimi i institucioneve të pavarura islame,
Lëvizja Kombëtare;
Lidhja Shqiptare e Pejës;
Lidhja Shqiptare e Prizrenit;
Marrëdhëniet e Bashkësive Islame shqiptare me shtetet dhe institucionet shtetërore;
Marrëdhëniet e Komunitetit Mysliman me shtetin shqiptar në dallgët e historisë;
Persekutimi i klerit mysliman nga regjimi komunist;
Persekutimi i Klerit Mysliman Shqiptar në vitet e diktaturës komuniste;
Ringritja e institucioneve fetare dhe arsimore pas komunizmit.
Ringritja e institucioneve fetare dhe arsimore pas rënies së komunizmit dhe përballja me sfidat e kohës.
Roli i prijësve myslimanë në Rilindjen Kombëtare;
Roli i prijësve myslimanë në shpalljen e pavarësisë;
Roli i ulemave në bashkëjetesën dhe harmoninë ndërfetare;
Themelimi i institucioneve islame pas shpalljes së pavarësisë;
Themelimi i shkollave dhe medreseve;
Zhvillimi i arsimit islam në hapësirën shqiptare.
Studimet e plota të profesorëve dhe studiuesve të shquar do të botohen shumë shpejt në një libër të veçantë.