Prishtinë, 22 janar 2019
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, së bashku me një pjesë të kabinetit të tij, vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Pejës në kuadër të takimeve rajonale me administratën dhe imamët e këshillave të BI-së.
Myftiu Tërnava kërkoi nga të gjithë imamët që gjatë kryerjes së detyrave të tyre, në raportin imam – Këshill – Kryesi, dhe anasjelltas, t’i përmbahen vijës institucionale dhe hierarkike të BIK-ut, pastaj të ketë bashkëpunim në mes të imamëve, pra në nivel të duhur, si dhe të bëhet bashkërendimi dhe koordinimi i aktiviteteve fetare. Një theks të veçantë, Myftiu Tërnava i kushtoi edhe mënyrës së ligjërimit të imamëve para audiencës, pra paraqitjes së tyre publike. Ai tërhoqi vërejtjen që gjatë fjalimeve që ata mbajnë të jenë të matur e të kujdesshëm, dhe të ftojnë në rrugën e Zotit të tyre po sipas porosive të Krijuesit, pra me urtësi dhe këshilla të mira.
Më pas të gjithë drejtorët folën për aktivitetet e tyre dhe njëherësh kërkuan nga imamët që të shtojnë edhe më angazhimet e tyre për një të ardhme më të mirë të BIRK-ut.