Prishtinë, 29 shtator 2018
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu, Naim Tërnava, ka marrë pjesë në vënien e gurthemelit të fshatit social në Gjilan të cilin po e ndërton Shoqata Ringjallja e Trashëgimisë Islame nga Kuvajti në bashkëpunim me Shoqatën Qëndresa kosovare. Në këtë eveniment mori pjesë edhe ambasadori i Kuvajtit z. Fejaz Al Jaseem, kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri, drejtori i Komitetit për Ballkan, Europë dhe Amerikë, Mahmud Najadi dhe mysafirë të tjerë.
Myftiu Tërnava duke uruar për këtë projekt luti Zotin që ta bëj të mundur që të ketë edhe projekte të tjera nga shtetet mike të Kosovës. Ai ka theksuar se Bashkësia e Islame e Kosovës vazhdimisht interesohet dhe e ndjen si obligim që të ndihmojë popullin e Kosovës, si dhe po angazhohet shumë në sjelljen e donacioneve dhe forcimin e urave të bashkëpunimit me miqtë tanw.“Këto shtete mike e përkrahën Kosovën edhe gjatë luftës edhe pas luftës përmes këtyre projekteve të natyrave të ndryshme. Ju faleminderit ambasador për mbështetjen kaq të madhe për Kosovën”,- tha myftiu Tërnava.
Ambasadori i Kuvajtit, Fajaz Mishari al Jassim, konfirmoi se shteti i tij do t’i përkrah edhe projektet tjera që janë jetike për qytetarët.“Kjo ngjarje e përfaqëson fytyrën e humanizmit të shtetit të Kuvajtit. Ndihem i lumtur që po e fillojmë gurthemelin e konviktit të jetimëve dhe të moshuarve në Gjilan, Ky është projekt infrastrukturor me shumë rëndësi dhe kjo neve na bënë shumë krenar dhe është argument për bashkëpunimin mes Kuvajtit dhe Kosovës. Shteti i Kuvajtit do t’i përkrah të gjitha projektet që janë në dobi të qytetarëve në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës dhe Bashkësinë Islame”,- u shpreh ambasadori i Kuvajtit.
Në fjalën e tij kryetari i Gjilanit Lutfi Haziri falënderoi Zotin që sot na ka bërë bashkë me përfaqësuesit e shtetit mik, me njerëzit e vullnetit të mirë, për të ndihmuar ata që s’kanë mundësi, siç janë fëmijët pa përkujdesje, që ta ndërtojnë fshatin e tyre dhe ta realizojnë këtë ëndërr të madhe. Ky është objekti i tretë që po ndërtohet në kuadër të kompleksit prej 10 objekteve, me krejt infrastrukturën për rehabilitim, shkollim, pushim, rekreacion, shkollim dhe për lutje. Ky është projekt unik jo vetëm në Kosovë, por edhe në Ballkan. Faleminderit shumë shtetit mik për mbështetjen kaq të madhe për qytetarët e Gjilanit”, ka thënë Haziri.
Një fjalë rasti pati edhe drejtori i Komitetit për Ballkan, Evropë dhe Amerikë, Mahmud Najadi, i cili tha se kryetari i shtetit të Kuvajtit, me ndërtimin e këtij fshati, po mundohet që përmes këtij donacioni, t’i dalë në ndihmë njerëzve në nevojë.“Shteti i Kuvajtit përkujdeset për mbi 4 mijë fëmijë jetim në Kosovë, kemi hapur 120 puse të ujit të pijshëm, ndërsa fshati social është njëri nga projektet më kulminante. SOS Fshati i fëmijëve përfshinë ndërtimin e dy objekteve për fëmijët jetimë, një shkollë fillore, institutin për përgatitje profesionale, xhaminë, qendrën shëndetësore, dyqane e hapësira për aktivitet sportive, vlera e të cilave është është 3 milionë dollarë”, tha ai.
Para vënies së gurthemelit myftiu Tërnava u prit nga kryetari i Gjilanit në Lutfi Haziri në zyre të tij me rast biseduan për rrjedhat dhe bashkëpunimin shumë të mirë që ka Komuna e Gjilanit me institucionin e BIRK-ut dhe u dakorduan që ky bashkëpunim të vazhdohet edhe më tutje ne të mirë të qytetarëve të Kosovës.