Prishtinë, më 12 dhjetor 2024
Kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti, sot ka mbajtur mbledhje me kryeimamët e këshillave të Bashkësisë Islame të Kosovës, për të vlerësuar raportet e punës dhe aktiviteteve gjatë këtij viti.
Kryeimami Sahiti fillimisht falënderoi kryeimamët për punën dhe angazhimin e tyre që kanë dhënë gjithandej këshillave të BI-së gjatë vitit 2024. Ai vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e gjithë imamëve, në misionin e tyre, që këtë amanet që e kemi mbi supet tona gjegjësisht kumtimin dhe shpjegimin e fesë së pastër islame ta kryejmë me devotshmëri e dinjitet.
Më pas kryeimami Sahiti theksoi nevojën e bashkëpunimit të kryeimamëve me imamët dhe xhematët e tyre, si dhe koordinimin me Kryesinë për një punë të integruar mirë mes nivelit lokal me atë qendror.
Gjatë takimit, kryeimamët paraqiten raportet vjetore të punës së tyre pranë Këshillave përkatës dhe u diskutuan edhe çështje të rëndësishme të tjera me interes, me qëllim të avancimit të jetës fetare dhe shërbimeve fetare në vend.