Prishtinë,24 qershor 2016
Në kuadër të aktiviteteve të muajit Ramazan Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava të premten ka mbajtur hytbe në Xhaminë e Madhe.
Në fjalën e tij myftiu Tërnava theksoi se Ramazani është muaji që e ka veçuar Allahu nga të gjithë muajt e tjerë. “Ka vlera të jashtëzakonshme, sepse në këtë muaj ka zbritur Kurani famëlartë. Muhamedi a.s. thotë se dhjetë ditët e para të Ramazanit janë mëshirë, ato kaluan; dhjetë ditët e mesme janë falje e magfiret, edhe ato shkuan; dhjetë ditët e fundit janë ditë që neve na largojnë nga zjarri i Xhehenemit. Pra, këto dhjetë ditë janë kurora e njëzetë ditëve të tjera të agjërimit të Ramazanit, kurse në krye të kësaj kurore e kësaj begatie është Nata e Kadrit, e cila është më e vlefshme se një mijë muaj, se në të është zbritur Kurani.
Allahu për çdo vit e dërgonte xhibrilin te Muhamedi a.s., dhe pjesët e Kuranit që kishin zbritur më herët Xhibrili i dëgjonte duke i recituar vetë Muhamedi a.s. Ai pra vinte po në Natën e Kadrit. Krahas melekëve të shumtë që zbresin në tokë në Natën e Kadrit, kemi edhe melekun Xhibril, e që e shihnin për së afërmi umetin e Muhamedit a.s. duke bërë ibadet, duke adhuruar Allahun, dhe duke u kënaqur me atë ibadet me të cilin kënaqen besimtarët, në shenjë besatimi që ia kanë dhënë besën Allahut xh.sh. Ne duhet ta kërkojmë Natën e Kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit, në netët tek. Edhe pse ulemaja janë të mendimit se Nata e Kadrit mund të jetë në natën e 27-të, ne duhet të shtojmë edhe më shumë ibadetin në këto net, se Muhamedi a.s. tërë kohën e kaluar në ibadet e adhurim.”
Myftiu Tërnava në fund kërkoi nga xhemati që edhe më shumë t’i përkushtohemi këtij dini, të marrim edhe më shumë nga kjo kryemrekulli hyjnore (Kurani), që na e dhuroi Zoti në këtë muaj me plot begati. {gallery}hytbexhmmdh16{/gallery}