Të nderuar e të çmuar mësimdhënës, të nderuar shërbyes civilë,

Ju të respektuar udhëheqës sindikal e qeveritarë,

Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës!

Me vëmendje kam përcjellë zhvillimet e muajit të fundit në vendin tonë,  që kanë të bëjnë  me grevën në sektorin e arsimit dhe atë të administratës publike.

Që në fillim, më lejoni  të shpreh vlerësimin dhe konsideratën time me të lartë për mësimdhënësit, profesioni i të cilëve është përtej detyrës së rëndomtë – është në premisat e misionit të shenjtë.

E këtë mision dhe detyrë, mësuesit dhe pedagogët tanë e kanë kryer me përkushtim e vetëdije të lartë që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e sotme.

Të gjithë ne jemi dëshmitarë që një ndër shtyllat kryesore në themelet e mëvetësisë së vendit tonë gjatë viteve të 90-ta,  në përballje me okupimin serb, ka qenë organizimi i pavarur i sistemit të arsimit në kuadër të shkollës shqipe.

Ne, mbështesim kërkesën e mësimdhënësve të Kosovës për pagë të dinjitetshme, ngase mësimdhënësit kanë mision të shenjtë, janë arsimuesit, edukuesit dhe pedagogët e fëmijëve tanë.

Thërras SBAShK-un që për hir të misionit që bartin mbi vete, që sot ta ndërpresin grevën dhe që nesër fëmijët tanë të kthehen në bankat e shkollës, aty ku e kanë vendin.

Po ashtu, thërras sindikatën e shërbyesve civilë që të ndërpresë grevën, të kthehen në vendin e tyre të punës dhe  institucionet  publike e shtetërore të zhbllokohen e të jenë në funksion të qytetarëve, e të shtetit.

Të drejtat e tyre sindikale t’i kërkojnë përmes dialogut social duke pasur parasysh gjithnjë  interesin e  popullit tonë dhe vendit tonë.

Apeloj të dy udhëheqësit e sindikatave që në këto momente të tregohen të arsyeshëm, të urtë dhe t’i kthehemi normalitetit.

Gjithashtu, i bëj ftesë Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që sa më parë të miratojnë ligjin për paga, e në këtë kuadër, kërkesat e sindikalistëve të merren në konsideratë.

Të gjithë jemi të bindur që nuk është koha për përplasje e barrikadime, por për unitet veprues, urtësi, mençuri e mbështetje për njëri-tjetrin.

Mbes me shpresë që nesër nxënësit t’i kemi në bankat e shkollës, kurse shërbyesit civilë në krye të detyrës.

Ju faleminderit

Myftiu i Kosovës,

Naim ef. TËRNAVA

Prishtinë, më 27 shtator 2022

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…