Prishtinë, më 2 gusht 2022

Drejtori për Kulturë dhe Veprimtari Botuese në Kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës, Ramadan Shkodra, i shoqëruar edhe nga përgjegjësi për literaturë, z. Agim Gashi, të dielën dhe të hënën vizituan panairin e librit “Ulqini 2022”, në të cilin për herë të parë mori pjesë edhe Shtëpia Botuese “Dituria Islame”.

Pasi vizituan panairin dhe u njohën me mbarëvajtjen e panairit, përfaqësuesit e Kryesisë së BIK-ut, gjatë qëndrimit në këndin e Shtëpisë Botuese “Dituria Islame”, takuan disa botues e dashamirë të librit, si dhe qytetarë dhe bashkatdhetarë tanë, që gjenden në Ulqin, me të cilët biseduan për përhapjen e librit në mesin e qytetarëve në Ulqin dhe te mërgimtarët tanë. Vizituesit e këndit të Shtëpisë Botuese “Dituria Islame” u shprehën të kënaqur me praninë e botimeve të Kryesisë së BIK-ut, duke e konsideruar këtë si një mundësi më të lehtë për të rënë në kontakt fizik me librin.

Ditën e hënë, drejtori Shkodra, së bashku me përgjegjësin z. Gashi dhe me përgjegjësen e ngarkuar të Shtëpisë Botuese “Dituria Islame” për panair, znj. Mihana Goga, vizituan Këshillin e BI-së në Ulqin, në të cilin u pritën nga kryeimami Ali ef. Bardhi, me të cilin biseduan për shtimin e bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe botimeve. Kryeimami Bardhi përshëndeti praninë e Shtëpisë Botuese “Dituria Islame” në panairin e librit, për të cilën tha se është e nevojshme prania e këtyre botimeve në trevën e Ulqinit.

Gjatë ditës së djeshme, drejtori Shkodra është pritur në takim edhe nga drejtori i Qendrës për Kulturë në Ulqin, z. Musa Hoxhiq, dhe nga drejtoresha e bibliotekës së qytetit, znj. Ardita Rama. Drejtori Shkodra i njohu nikoqirët me historikun e veprimtarisë botuese të Shtëpisë Botuese “Ditura Islame”, për të cilën tha se në këtë panair jemi me mbi 70 tituj të fushave të ndryshme nga kultura, historia, gjuhësia, qytetërimi, besimi e tradita jonë.

Nikoqirët falënderuan drejtorin për vizitën dhe shprehën vullnetin për bashkëpunim të mëtutjeshëm në fushën e kulturës dhe botimeve.

Po ashtu, drejtori Shkodra me bashkëpunëtorët u prit në takim të ndarë edhe nga Gëzim Hajdinaga, drejtor i Agjencisë Turistike në Ulqin, agjenci kjo e cila këtë vit ishte edhe organizatore e panairit të librit “Ulqini 2022”. Drejtori i Agjencisë, z. Hajdinaga, vlerësoi lart praninë e Shtëpisë Botuese “Dituria Islame” në panairin e librit, për të cilin tha se është një dritare, nga ku mund të njihemi me librin e fjalën e shkruar shqipe. “Ulqini mirëpret librin shqip, e për këtë ju falënderoj për bashkëpunimin e për praninë tuaj” – u shpreh drejtori Hajdinaga.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…