Kryesia e Bashkërisë Islame të Kosovës ka bërë promovimin e veprës “Ligjërime për fenë dhe atdheun I-II” të Myftiut Naim ef. Tërnava. Në promovim qenë të pranishëm një numër i konsiderueshëm i dashamirësve të librit nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi që e bënë më madhështor dhe më kuptimplotë këtë aktivitet.

Në këtë aktivitet qe i pranishëm edhe Kryetari i KMSH-së, H. Skendër Bruçaj me bashkëpunëtorë, një delegacion nga BFI e Maqedonisë, që i printe Hfz. Shaqir Fetahu, si dhe një delegacion nga Bashkësia Islame e Malit të Zi, të prirë nga Ali ef. Bardhi-kryeimam në KBI të Ulqinit.
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Skënder Bruçaj, me këtë rast tha se zëri i Bashkësisë Islame të Kosovës është dhe do të jetë i rëndësishëm në përçimin e Islamit të vërtetë. “Kësaj feje dhe këtij besimi paqësor ngjarje të ndryshme shpesh janë munduar t’i hedhin hije. Qëndrimet zyrtare në rrugëtimin e Naim Tërnavës si myfti i Kosovës, dhe njëkohësisht drejtues i një institucioni përgjegjës për besimtarët e Kosovës, të shprehura në një format të përmbledhur në dy vëllime, tregojnë shumë qartë kumtimin e një zëri të fortë institucional në mbrojtje të identitetit të myslimanëve, të promovimit të vlerave të Islamit në Kosovë”, ka thënë ai, duke shtuar se myslimanët i kanë dënuar dhe vazhdojnë t’i dënojnë aktet e dhunës e terrorit kudo që ndodhin.

Hfz. Shaqir ef. Fetahi i cili përshëndeti në emër të Resit të BFI së Maqedonisë, përveç tjerash tha:”Mëse një dekade rresht, pa pushuar, im vëlla, Naim efendi Tërnava, ka ngritur zërin, herë në shenjë të revoltës, herë për të dëgjuar kujdestarët antiislamë, herë për të vënë theksin mbi një të vërtetë të pamohueshme, të shenjtë, e herë për të sqaruar gjëra kur për këtë ka pasur nevojë myslimani ynë. Shkrimet e tij, kumtesat, referatet, analizat, komentet e intervistat të publikuara nëpër shumë media të vendit dhe jashtë, dëshmojnë për një lidership shembullor i cili përkujdeset për fenë, për kombin e vet por edhe për ngjizjen e kësaj simbioze në amën e definicionit më se të saktë “pa atdhe nuk ka fe” dhe, anasjelltas. Në të gjitha paraqitjet e ekselencës së tij, Myftiut të respektuar, efendi Tërnavës, vërehet një përpjekje sa intelektuale, akademike, aq edhe mbinjerëzore për nënvizimin e vlerave të larta të islamit që janë në korrelacion të plotë me traditat dhe vlerat e larta kulturore e kombëtare të shqiptarëve myslimanë”.
Ish-kryeministri Bajram Kosumi, tani rektori i Universitetit “Kadri Zeka” në Gjilan, fjalimin e tij e nisi me tregimin e myslimanit parisien në Paris, i cili kishte dalë në rrugët e Parisit me sy të mbyllur, me një mbishkrim: “Jam mysliman, por më thonë që jam terrorist. Unë ju besoj juve, por ju a më besoni mua? Nëse po, më përqafoni!”. Ai tha se myslimani parisien ka përçuar një mesazh të mirë për myslimanët, pas ngjarjeve që ndodhën në Paris. Më tutje prof. Kosumi tha: “Përurimi i librit “Ligjërime për fenë e atdheun ” është një rast i domosdoshëm për të diskutuar për qasjen ndaj fesë dhe rolin e saj në shoqërinë moderne globaliste. Në shoqërinë tonë mungon debati për fenë dhe rolin e saj në shoqëri. Botimi i vëllimeve të këtij libri mjaft voluminoz ndihmon në hapjen e debateve publike për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me fenë myslimane, e në këtë rast edhe me shqiptarët”, tha Kosumi.
Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës, tha se nga leximi i veprës së magjistër Naim Tërnavës secili do të mund të bindet se përmbajtjet janë më shumë sesa fetare. “Aspektet fetare nuk janë trajtuar të ndara nga fushat e tjera të jetës. Kjo ndërlidhje del në pah, përveçse në trajtimin e dukurive nga përditshmëria, edhe nga ana e shqyrtimeve historike lidhur me të kaluarën tonë. Përtej rëndësisë autoriale, kjo vepër ofron edhe dimensione të funksionimit institucional të jetës fetare në Kosovë”, tha Matoshi.
Ndërsa, me këtë rast Ahmet Sadriu është shprehur se botimin i librit të myftiut Tërnava dëshmon edhe një herë vendosmërinë e Kryesisë së BIK për të  vazhduar traditën e saj në promovimi e vlerave kombëtare, fetare, kulturore e humane, për të mirën e njerëzimit, të fesë dhe atdheut, të cilat reflektojnë besimin në Zotin, dashurinë  ndaj atdheut si dhe përkushtimin për paqen, mbarësinë, tolerancën dhe mirëkuptimin.
Në emër të Këshillit botues ka folur sekretari i përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Resul Rexhepi, i cili tha se “në të ardhmen kjo vepër do të marrë vlera edhe më të mëdha, dhe do të mbetet si pikë referimi dhe dëshmi e fortë për kohën kur u krijua, kur u shkrua dhe kur u botua.”
“Mirëpo realizimi, që nga mbledhja e materialeve e deri në botimin e tyre, sigurisht që ka kërkuar përfshirjen dhe angazhimin e disa individëve. Botimi i tyre është rezultat edhe i ndihmës së madhe të bashkëpunëtorëve, kolegëve dhe miqve mbështetës të këtij projekti, të cilët meritojnë mirënjohjen dhe falënderimet tona”, tha veç tjerash Resul ef. Rexhepi.
Ndërkaq myftiu Tërnava, në fjalën e tij  përshëndetëse e falënderuese, përveç tjerash, tha: “Në librin që e keni sot në duar  do të gjeni qëndrime të thëna e të artikuluara  në forma të ndryshme, si: intervista, deklarata, hytebe apo mesazhe, tani të përmbledhura në dy vëllime. Për ketë  meritorë janë bashkëpunëtorët e mi, të cilët me një përkushtim të veçantë i tubuan, i shqyrtuan  e përgatitën në ketë format, dhe tanimë i kemi brenda kopertinave,  pronë për lexuesin, e dëshmi për historinë. Prandaj, me këtë rast me lejoni të falënderoj të gjithë  ata që u angazhuan në realizimin e kësaj vepre, duke u nisur nga përgatitësit, redaktorët, redaktorët gjuhësorë, shkruesit e parathënieve, si dhe Këshillin Botues, të cilët me punë ekipore e kompetencë profesionale  bënë që te kemi në duar këtë vepër në ketë format”, tha myftiu Tërnava, për të vazhduar: “Ne do të vazhdojmë punën,  kontributin dhe angazhimin në misionin tonë në të mirë të vendit, popullit dhe besimtarëve.
Aktivitetin me fjalë rasti e përshëndeti edhe Ali Efendi Bardhi nga Meshihati i Malit të Zi.{gallery}featdhe{/gallery}

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

U mbajt program kushtuar festës së 28 Nëntorit

Prishtinë, më 26 nëntor 2024 Për nder të 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, Këshilli i Bashkë…