Departamenti i të Rinjve i Kryesisë së BIK-ut mbajti mbledhjen e pestë të rregullt
Të hënën, më 08.06.2015, Departamenti i të Rinjve i Kryesisë së Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës mbajti mbledhjen e pestë të rregullt me udhëheqësit e degëve të Departamentit pranë Këshillave të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës. Takimi, ashtu siç ishte paraparë, filloi në ora 11:00.
Rend dite i mbledhjes ishin tri pika:
1.Prezentimi i raportit njëvjeçar për vitin 2014.
2.Planifikimi strategjik dhe shpalosja e projekteve për të ardhmen.
3.Të ndryshme.
Hapja e tubimit u bë me disa ajete kuranore, të lexuara nga përfaqësuesi i degës së Departamentit në Obiliq, Izedin Krasniqi.
Të pranishmit, në emër të kryesisë së BIK-ut, i përshëndeti dhe u shprehu mirëseardhje udhëheqësi i Departamentit të të Rinjëve të BIK-ut, Mr. Fitim Gashi, i cili edhe paraqiti pikat e rendit të ditës së kësaj mbledhjeje. Gashi i falënderoi të gjithë përfaqësuesit e Departamentit nëpër Këshillat e Bashkësisë Islame për punën dhe angazhimin e deritanishëm, duke ofruar përkrahjen dhe mbështetjen e Departamentit edhe për të ardhmen.
Më pas udhëheqësi i Departamentit të të Rinjve të BIK-ut, Mr.Fitim Gashi, prezantoi raportin e punës njëvjeçare. Ai përmendi sukseset dhe të arriturat e këtij Departamenti, e njëkohësisht foli edhe për sfidat. Raportin e punës së tyre njëvjeçare e prezantuan edhe përfaqësuesit e degëve të Departamentit nëpër Këshillat e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ata, pasi paraqitën shkurtimisht punën e tyre, në fund, në formë të shkruar, dorëzuan edhe raportet e tyre në zyrën qendrore të Departamentit të të Rinjve.
Në këtë takim u diskutua edhe rreth planit dhe strategjisë për të ardhmen, ku u paraqitën ide dhe propozime të ndryshme. Gjithashtu, nga të rinjtë e BIK-ut u diskutua edhe rreth përgatitjeve për muajin e bekuar të Ramazanit.