Prishtinë, 28 shkurt 2022
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, priti sot në takim ambasadoren e Sllovenisë në Kosovë, znj. Minca Benedejčič.
Myftiu Tërnava fillimisht i uroi ambasadores znj. Benedejčič mirëseardhje në institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës, e më pas e uroi atë për detyrën e re në krye të Ambasadës së Sllovenisë, duke i dëshiruar punë të mbarë dhe të suksesshme.
Myftiu Tërnava më pas e njohu mysafiren me funksionimin e institucionit të BIK-ut, si dhe me sfidat me të cilat ballafaqohet ai. Ai falënderoi ambasadoren dhe nëpërmes saj edhe shtetin e Sllovenisë për ndihmën dhe përkrahjen e ofruar për shtetin e Kosovës.
Nga ana e saj, ambasadorja Benedejčič, falënderoi Myftiun Tërnava për pritjen, si dhe vlerësoi lart punën dhe angazhimin që ai dhe institucioni i Bashkësisë Islame të Kosovës po bëjnë për mbarëvajtjen e jetës fetare në Kosovë, si dhe për kontributin për paqe dhe harmoni ndërfetare. Ajo çmoi diversitetin fetar dhe etnik, bashkëjetesën dhe tolerancën ndërfetare dhe ndëretnike që mbretëron në Kosovë, e për të cilat vlerësoi lart angazhimin dhe rolin e Bashkësisë Islame të Kosovës.