Prishtinë, 11 mars, 2015
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava priti sot një delegacion nga Drejtoria e Përgjithshme e vakëfeve të Republikës së Turqisë, të prirë nga Seat Faruk Giraj, kryetar në sektorin e objekteve artistike dhe ndërtimeve. Delegacioni nga Drejtoria e Varfëve po qëndron në Kosovë për vizitë pune, që ka të bëjë me implementimin e protokollit të bashkëpunimit në mes të Drejtorisë së Vakëfeve të Turqisë dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, të nënshkruar në qershor të viti të kaluar, e me të cilin Drejtoria e Vakëfeve ka marrë përsipër rikonstruktimin e Medresesë së Vogël dhe Bibliotekës së Hadum Agës në Gjakovë, si dhe projektimin e pesë xhamive në lokalitete të ndryshme si: në Gjakovë, Mitrovicë e Mamushë.
Myftiu Tërnava, pasi falënderoi për vizitën, çmoi lart projektet e Drejtorisë së Vakëfeve të Republikës së Turqisë, që do të realizohen në Kosovë. “Në Kosovë ka shumë objekte të trashëgimisë kulturore që i përkasin periudhës osmane, e që kanë nevojë për kujdes meritor e profesional. Objekte e trashëgimisë osmane në Kosovë më së miri flasin për të kalaruan tonë të përbashkët”, tha myftiu Naim ef. Tërnava.
Ndërsa, në anën tjetër, z. Suat Faruk Giraj, pasi e informoi myftiun me projektet që ka marrë për realizim drejtoria e vakëfeve në Kosovë, tha se objektet që po restaurohen, përveç që flasim për të kaluarën e përbashkët, forcojnë lidhjet dhe miqësinë mes dy vendeve. Ai më tutje tha se edhe në të ardhmen do të realizohen projekte të kësaj natyre.
Myftiu Tërnava e z. Suat Faruk Giraj nënshkruan protokollin për realizimin e një sërë projektesh në Gjakovë, Mitrovicë e Mamushë.