“Të bëjmë më të mirën që migrimi të ndërpritet dhe popullit t’i rikthejmë besimin dhe t’i hapim perspektivën në vendin tonë“
Prishtinë, 12 shkurt 2015
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, në mbledhjen e sotme me kryetarët dhe sekretarët e Këshillave të BIK-së, u ka kërkuar Këshillave, e përmes këtyre edhe të gjithë imamëve anekënd vendit, që të angazhohen e të kontribuojnë në ndaljen e fenomenit të migrimit të popullatës nga vendi.
Myftiu Tërnava tha se fenomeni i ikjes nga vendi është një përjetim i rëndë. “Pamjet e fëmijëve, të rinjve e grave tona nëpër male e kampe janë të rënda e brengosëse, prandaj duhet që ne si shoqëri e popull të jemi përgjegjës për këtë që po ndodh, dhe duhet të bëjmë më të mirën e mundshme që ky fenomen të ndërpritet dhe popullit t’i rikthejmë besimin dhe t’i hapim perspektivën në vendin tonë”, ka thënë Myftiu Tërnava.
Tërnava gjithashtu tha se hoxhallarët, teologët e kanë për obligim-farz të bisedojmë me njerëzit tanë: “Pra të jemi pranë tyre dhe të ndikojmë tek ata aq sa është e munduar, që ata mos të marrin rrugën e migrimit ilegal. E bashkëndiejmë gjendjen dhe atmosferën që është krijuar në vendin tonë dhe në shoqërinë tonë, por duhet të japim maksimumin që tek populli ynë të rikthehet ndjenja e besimi në vendin tonë, në të ardhme tonë, në perspektivën tonë”, tha Tërnava.
Myftiu gjithashtu ka kërkuar nga udhëheqësit e Këshilleve që të aplikojnë për legalizimin e objekteve të BIK-së që ende nuk janë legalizuar, si dhe të përgatisin dokumentacionin për pronat e BIK-së.