Në bazë të nenit 47.1, të Kushtetutës së Bashkësisë Islame të Republikës të Kosovës, Myftiu Tërnava, pas përshkallëzimit të situatës pandemike me paraqitjen e rasteve të reja me koronavirus në Republikën e Kosovës, në bazë të kompetencave të tij dhe në kuadër të marrjes së masave preventive me qëllim ruajtjen e shëndetit publik, si dhe në përputhje me masat e reja anticovid të Qeverisë së Republikës së Kosovës, merr këtë:

V E N D I M

1. Kryerja e riteve fetare me xhemat në objektet fetare dhe hapësirat përreth tyre, të bëhet në përputhje të plotë me Manualin për mbrojtje nga përhapja e COVID -19, si:

– Vendosja e maskës,

– Mbajtja e distancës fizike,

– Pastrimi dhe dezinfektimi i duarve gjatë hyrjes dhe daljes nga xhamia,

– Ajrosja e ambienteve të xhamisë pas çdo namazi,

– Dezinfektimi i hapësirave të xhamisë dhe objekteve tjera përcjellëse,

– Shenjëzimi i vendfaljeve duke respektuar distancën,

– Hapësira e brendshme e xhamisë të pranojë numër minimal të xhematit, derisa mund të shfrytëzohet hapësira e jashtme e xhamisë/oborri për faljen e namazeve të rregullta ditore.

2. Pezullohen tubimet e të gjitha llojeve të veprimtarisë fetare në xhami (përveç namazeve të rregullta ditore).

3. Pezullohet mbajtja e mësim besimit në xhami.

4. Ligjërata e xhumasë të jetë sa më e shkurtër dhe përmbledhëse (5 – 7 minuta).

5. Në rastet e varrimeve, imami i ngarkuar me detyrë, obligohet të marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e vetes dhe të tjerëve nga infektimi me koronavirus, duke respektuar rekomandimet dhe njëkohësisht duke apeluar te pjesmarrësit (familja e ngushtë e të vdekurit) për respektim të masave anticovid (bartja e maskës, pastrimi dhe dezinfektimi i duarve, mbajtja e distancës etj.).

6. Pezullohen të pamet dhe pritjet për ngushëllime në rastet e vdekjes, në odat për të pame apo objektet tjera përcjellëse në kuadër të xhamisë.

7. Në komunat ku ka vetëm një xhami në qytet, si dhe në ato komuna ku numri i pjesmarrësve në xhami është i madh, xhumaja të falet dy ose tre herë në kohë të ndryshme (brenda orarit të saj ligjor).

Masat e lartcekura hyjnë në fuqi nga dita e sotme (30 gusht 2021, e hënë) gjer më datë 13 shtator 2021, e hënë.

Bashkësia Islame e Kosovës në bazë të rrethanave të reja eventuale në të ardhmen, do ta mbajë opinionin të informuar vazhdimisht.

Lusim Zotin që sa më shpejtë dhe lehtë të kalojë kjo gjendje në të cilën aktualisht gjendemi!

K R Y E T A R I,

Myftiu Naim ef. Tërnava

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti mbledhjen e rregullt

Prishtinë, më 23 nëntor 2024 Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës mbajti sot mbledhjen e…