Prishtinë, 11.09.2018

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i shoqëruar nga një pjesë e kabinetit të tij ka mbajtur sot një takim pune me administratën dhe imamët e Këshillit të Bashkësisë Islame të Kamenicës, në kuadër të organizimit dhe ngritjes së cilësisë së punës.

Këta u pritën nga kryetari i këtij këshilli, z. Bejtullah Hashani. Pasi i dëshiroi mirëseardhje Myftiut, kryetari z. Hashani shprehu mirënjohje dhe falënderim për Myftiun Tërnava për punën e tij të palodhshme në mirëqenien e myslimanëve të Kosovës. Ai më pas e njohu me gjendjen dhe funksionimin e këtij këshilli.

Myftiu Tërnava theksoi se çdo besimtar duhet të bashkëveprojë për të qenë më afër me njerëzit, duke u informuar me mesazhin e drejtë të fesë islame.

“Ne duhet të bashkëpunojmë dhe bashkëveprojmë me njëri-tjetrin, për të qenë më afër qytetarëve, duke i informuar për mesazhin e drejtë të fesë islame. Këshilli i Bashkësisë Islame i Kamenicës duhet të fillojë me centralizimin e anëtarësisë nga fillimi i vitit 2019, sepse kjo është shumë me rëndësi si për imamët ashtu edhe për qytetarët e këtij vendi, në dobi të shërbimeve të përbashkëta”, tha mes të tjerash Myftiu Tërnava.

Myftiu tutje premtoi përkrahje të vazhdueshme, duke shprehur bindjen se do të keni suksese nëse punoni pa përtesë, angazhoheni dhe jepni kontributin tuaj maksimal në dobi të shoqërisë dhe rrethit ku jetoni.

“Aty ku punohet, aty janë evidente edhe rezultatet. Vetëm bashkërisht mund të ecim përpara. Jini si një trup që duhet të punoni të bashkuar, për të arritur qëllimin e përbashkët. Puna dhe aktiviteti në grup ju jep mundësi të bëni gjëra që nuk mund t’i bëni vetë. Unë ju premtoj se do ta keni përkrahjen time çdoherë për realizimin e qëllimeve tona të përbashkëta”, porositi Myftiu Tërnava.

Në fund të këtij takimi, kryetari Bejtuallah Hashani falënderoi Myftiun për angazhimin, punën dhe ndihmën e dhënë në ndërtimin e objektit administrativ në Kamenicë.

Pas përfundimit të këtij takimi Myftiu Tërnava së bashku me kryetarin e Komunës së Kamenicës, z. Qërndron Kastratin dhe me administratën e Këshillit të Kamenicës mbikëqyren punimet e bëra në objektin e selisë së KBI-së.

Myftiu Tërnava së bashku me kryetarin Kastrati u pajtuan që në një të ardhme të afërt ta kenë një takim pune, për t’i parë nga afër projektet në të cilat duhet mbështetur me donatorë të ndryshëm.

Qytetarët e Kamenicës e meritojnë një përkrahje të vazhdueshme, e cila ua mundëson një zhvillim më të mirë për jetë, tha ndër të tjerash Myftiu Tërnava.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava mori pjesë në iftarin e shtruar nga emiri i Katarit

Prishtinë, më 18 mars 2024 Me ftesë të emirit të Katarit, shejh Temim bin Hamad al Thani, …