Prishtinë, 23 nëntor 2018

Me rastin e shënimit të muajit të Mevludit, Këshilli i Bashkësisë Islame i Rahovecit, mbajti manifestim kushtuar këtij muaji në Sallën e Kulturës “Mesur Zyberaj” në Rahovec . Ky manifestim siç e do rendi filloi me leximin e ajeteve të Kuranit, ndërsa më pas një fjalë rasti e mbajti kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame të Rahovecit z. Shani Sylka, i cili përshëndeti të pranishmit dhe uroi për këtë muaj, duke e veçuar këtë muaj si një nga më të rëndësishmit në kalendarin islam, pasi në këtë muaj lindi krijesa më e mirë që shkeli në tokë.

Ligjëratën kryesore e mbajti kryeimami i Republikës së Kosovës z. Sabri Bajgora, i cili tha se fjalët janë të pafuqishme për të shprehur madhështinë e Pejgamberit a.s. “Lindja e tij erdhi si burim frymëzimi i shumë gjeneratave të kaluara dhe të sotme, erdhi në kohën kur prangat e skllavërisë kishin mbërthyer zemrat e robëruara të njerëzimit, erdhi atëherë kur çdo ndjenjë e moralit ishte venitur. Më në fund, në mesin e një bote të shprishur e të pashpresë, lindi dielli i të gjithë pejgamberëve, i cili ngrohi zemrat e atyre që ishin në amulli e mjegull”, tha Bajgora.

Ai duke folur për cilësitë e Pejgamberit a.s. shtoi se: “Muhamedi a.s. ishte mësues fetar, reformator shoqëror, udhëheqës moral, mik besnik, shok i mrekullueshëm, bashkëshort i devotshëm dhe baba i dashur.”

“Përshkrimin më të denjë të Muhamedit a.s. e gjejmë në Kuran, në të cilin Allahu tregon vlerat më të mirëfillta me të cilat përshkruhet një qenie njerëzore. Allahu në Kuran thotë: “Ju në të dërguarin e Allahut kishit shëmbëlltyrën më të mirë.” (El Ahzab, 21). Personaliteti i tij paraqet baraspeshë të materies dhe shpirtërores, aftësisë dhe diturisë, ai arriti që fjalën e Zotit ta aplikonte më së miri në jetë”, shtoi ndër të tjerash kryeimami Bajgora.

Ai gjithashtu foli edhe për personalitetin e tij nga këndvështrimi i historianëve, filozofëve, shkencëtarëve, nga ku përmendi faktin se të gjithë këta, disa në heshtje e disa haptazi e pranuan faktin se asnjë nuk është i barabartë me pejgamberin tonë Muhamedin a.s. për kontributin e madh dhe gjurmët që i la ai në historinë e jetës.

Manifestimi u përmbyll me një program kulturo-artistik me ilahitë të kënduara nga vëllezërit Allajbeg.

Shfaq më shumë artikuj të ngjashëm
Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu Tërnava u prit në takim nga sekretari i përgjithshëm i Rabitas, Al Isa

Prishtinë, 14 dhjetor 2018 Delegacioni i BIK-ut në krye me Myftiun e Kosovës, mr. Naim Tër…