Intervistë ekskluzive për Diturinë Islame me z. Sali Selimin kryetar i OH El-Hilal dega në Gostivar në përkujtim të trevjetorit të përndjekjes së popullit shqiptar të Kosovës nga trojet e tyre stërgjyshore.

[Intervistoi: Zenel Hajrizi]

 

D.I: Kosovarët nga përndjekja e vitit 1999, mbështetje gjetën tek vëllezërit e tyre në trojet etnike në Maqedoni, Shqipëri dhe në vende të treta pasi përjetuan ferrin e Bllacës. Përfaqësuesit OH – El-Hilal bënë të pamundurën në ndihmë vëllezërve të tyre. Si arrihej kjo?

S. Selimi: Së pari në emër të OH – El-Hilal dhe në emër të popullatës myslimane të Gostivarit me rrethinë, i përshëndes të gjithë lexuesit e “Diturisë Islame” si dhe mbarë popullin e Kosovës. Vitin 1999 asnjëherë nuk mund ta harroj, ishte vit i kobshëm për joserbët në Kosovë, të cilët makineria vrastare serbiane me dhunë i detyroi të lëshonin vendlindjen e tyre dhe të vendoseshin tek vëllezërit në Maqedoni, Shqipëri dhe në vende të treta. Ne në OH – El-Hilal, duke ndjekur situatën politike dhe të sigurisë në Kosovë, sikur kishim një parandjenjë se do të ndodhte diçka e keqe. Për këtë arsye nga fundi i vitit 1998 filluam të përgatiteshin për çdo situatë që mund të ndodhte në Kosovë. Ekzodi i popullatës kosovare, edhe pse ishte masiv, nuk na gjeti të papërgatitur. Më 24 mars 1999, kur filluan sulmet e NATO-s mbi forcat serbe, në Gostivar arriti një numër i madh i të dëbuarve, 27 autobusë vetëm gjatë një nate dhe ata i strehuam të gjithë.

D. I: Trimi i mirë me shokë shumë, nuk është vetëm fjalë e urtë. Çfarë mendoni për këtë?

S. Selimi: Popullatës së dëbuar kosovare përveç OH – El-Hilal dega në Gostivar, i doli në ndihmë tërë popullata shqiptare dhe ajo myslimane, një gjë që nuk mbahet në mend të kishte ndodhur në këto anë.

D.I: Vendtakimi me domethënie të veçantë ishte Xhamia e Sahatit. Cila është e veçanta kur jua kujtojmë këtë vend?

S. Selimi: Keni të drejtë. Me të vërtetë ishte pikëtakim interesant për shqiptarët vendorë të Gostivarit si dhe për të përndjekurit nga Kosova. Kjo xhami luajti rol të madh për pritjen e të përndjekurve, ishte stacion i parë para se të vendoseshin nëpër familjet mikpritëse. Popullata myslimane e Gostivarit priste në radhë për të marrë familje të vëllezërve dhe motrave tona nga Kosova, të torturuar, që kishin përjetuar Bllacën, pa ngrënë, të rraskapitur nga lodhja, pagjumësia dhe nga frika. Posa vinin, tek dera e autobusit i priste familja nikoqire. Qanin, nga lotët e tyre nuk dallohej se cili ishte nikoqiri e cili miku i ardhshëm. Këto ishin momente që nuk mund të harrohen dhe besoni, me plot emocione me aktivistët i kujtojmë shpesh këto çastë të paharruara.

Myftinia e Gostivarit, duke parë situatën, i liroi të gjitha zyrat, xhamitë e qytetit dhe nëpunësit e saj i organizoi në aktivitetin tonë. Në zyrat e kësaj myftinie u formua shtabi për sistemimin e të përndjekurve nga Kosova dhe ky shtab deri në përcjelljen e popullatës kosovare veprimtarinë e përditshme e kreu nga zyrat e kësaj myftinie. Duke parë gjendjen shumë të vështirë, aty pranë zyrës në një shtëpi private, popullata me vetiniciativë hapi një kuzhinë të improvizuar, në të cilën përgatitej ushqim ingrohtë gjatë tërë ditës. Donatori i kësaj kuzhine ishte popullata e Gositvarit pa u përmendur emër e mbiemër. Gjithashtu në një yrë të myftinisë hapëm edhe ambulancën, në të cilën u inkuadruan të gjithë mjekët dhe infermieret nga Kosova për shërimin e të përndjekurve. Gjatë 85 ditëve të qëndrimit të të përndjekurve, u kontrolluan mbi 9200 persona moshash të ndryshme. Po ashtu në zyrat e myftinisë kryhej regjistrimi i të përndjekurve dhe ofroheshin informata e jepeshin vërtetime për bashkim familjar.

D.I: Cili ishte orari i punës suaj asokohe?

S. Selimi: Gjatë periudhës së përmendur orari OH – El-Hilal ishte 24 orë. Shpesh ndodhte që aktivistët tanë të flinin në xhami me të përndjekurit.

D.I: Për angazhim e kontribut keni qenë objekt i përfaqësuesve të ndryshëm të informimit. A ju ka ngelur në kujtesë ndonjë rasti i veçantë?

S. Selimi: Po, së pari përshëndes dhe nuk e harroj iniciativën e gazetarëve nga Kosova, të cilët menjëherë u lidhën në mediumet private dhe me të dhënat që i merrnin nga ne, informonin popullatën e përndjekur për gjendjen e përgjithshme. Nuk mund ta harroj gazetaren e CNN-it, e cila më intervistoi për gjithë atë që po ndodhte në Kosovë dhe për masat që morëm për strehimin e të përndjekurve, intervistë kjo e cila u emetua për 24 orë rresht nëpër informimin e opinionit për problemin e asaj kohe. Po ashtu Kanali i Shtatë i Turqisë nga oborri i Xhamisë së Sahatit njohu drejtpërdrejt opinionin turk me realitetin e ri të krijuar dhe përndjekjen e shqiptarëve.

D.I: Pati organizime të ndryshme kulturo-sportive, mirëpo duhet veçuar Mevludi për dëshmorët e rënë. A mund të na thoni më tepër?

S. Selimi: Përveç aktiviteteve kulturore dhe sportive, organizuam edhe Mevludin kushtuar dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës, ku merrnin pjesë mbi 200 veta nga Kosova dhe vendorë. Këtë organizim e realizuam së bashku me rininë PAD, rruga islame. Populli thotë: Nga çdo e keqe lind edhe një e mirë. Ekzodi që ndodhi në vitin 1999 ishte bashkimi shpirtëror për të gjithë shqiptarët.

D.I: Baca Salih, vëllezërit tuaj ishin të vendosur në shtëpi private dhe kampe, p.sh. (Çegran…). Mirëpo ju kishit probmeme për t`i ndalur që të qëndronin atje së paku edhe për një kohë të shkurtër. Cili ishte problemi?

S. Selimi: Kampin e Çegranit kurrë nuk mund ta harrojmë, e quajmë kampi famëkeq. Aty ishin të vendosur 45600 kosovarë, d.m.th. një qytet i tërë, pa kushte elementare. Ne si OH – El-Hilal prej përgjegjësve të kampit kërkuam që të na lejonin për t`u dalë në ndihmë të përndjekurve. Përgjegjësit shfaqën mirëkuptim dhe na u lejua të hapnim tendën tonë, ku një grup aktivistësh shpërndanin ushqim, veshmbathje dhe mjete higjenike për banorët e kampit. Më përkujtuat kthimin masiv të shqiptarëve pas hyrjes së KFOR-it. Nëpër të gjitha mediumet lokale apeluam të mos ktheheshin menjëherë, të prisnin edhe pak, edhe nja dy javë, sepse kishim informata për një numër të madh të vendeve të minuara, në mesin e tyre edhe shtëpitë dhe oborret shqiptare. Mirëpo nostalgjia e madhe për pragun e shtëpisë, nostalgjia për varret stërgjyshore bëri që brenda tri ditësh mbi 80% e të përndjekurve të ktheheshin në Kosovë.

D.I: Ndihmuat bashkëkombësit tuaj edhe në përcjellje. Ç`ju shtyri?

S. Selimi: Ndihmuam ata që ngelën, kishim dëshirë t`i kthenim në mënyrë të organizuar të gjithë, por nuk ia arritëm, mirëpo i furnizuam me artikuj ushqimorë, veshmbathje etj., para kthimit për në trojet e tyre, sepse kjo ishte dëshirë jona.

D.I: Kontinuitetin e ndihmës suaj nuk e ndërpretë. Përse?

S. Selimi: Andej nga muaji shtator 1999 Qendra e Organizatës sonë organizoi një karvan me ndihmë prej 13 maunash ku merrnim pjesë edhe ne si degë me një paunë prej 25 tonësh. Gjithashtu kemi ndihmuar edhe spitalin e Prizrenit me barëra të ndryshme, sepse gjithnjë kishim parasysh se Kosova doli nga lufta, ishte fazë emergjente dhe natyrisht të keqen dhe të mirën e ndamë së bashku si vëllai me vëlla.

D.I: Nga e kaluara shqiptarët përfituan, edhe pse jetuan një fatkeqësi. U forcuan edhe më tepër raportet vëllazërore. Komenti juaj?

S. Selimi: Pa koment. Vëllai shkon tek vëllai. Po ashtu shqiptarët nga trojet etnike të Maqedonisë shkuan tek vëllezërit e tyre në Kosovë, nga të cilët u mirëpritën dhe akoma një pjesë e tyre gjenden atje. Arsyeja është e njohur.

D.I: Për fund. Faleminderit për bisedën. Cila është porosia juaj?

S. Selimi: Miqësinë e lidhur në kushte shumë të vështira, ta kurorëzojmë me një Kosovë të pavarur, me një bashkim gjithëkombëtar, kurse Prishtina të bëhet porta e diturisë për tërë shqiptarët.

Shfaq më shumë në Lajme

Shfleto

Myftiu i Kosovës shtroi iftari për nder të Fitores së Bedrit

Prishtinë, më 27 mars 2024 Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnav…